Lulëzojnë përsëri në Tiranë “call centerat” që grabisin qytetarët europian, paguajnë në policinë e shtetit deri në 150 mijë në muaj

Të kamufluara si call center, platformat paralele false të shitblerjes të aksioneve në bursën e tregjeve ndërkombëtare po mashtrojnë më së shumti të moshuarit në vendet e Europës, si: Spanjë, Gjermani, Itali, Greqi dhe Maqedoni. Edhe pse u frenua pas disa aksionve policore, call centerat që mashtrojnë qytetarët e huaj po lulëzojnë përsëri kudo në Tiranë.

Burimet konfidenciale i thanë portalit Timoni.al se pronarët e tyre paguajnë shefat e komisariateve 5 deri në 10 mijë euro në muaj ndërsa 150 mijë euro në muaj përflitet se shkojnë për drejtorin e përgjithshëm të policisë. Një e pjesë e madhe e Call centerave janë të vendosur në rrugën e Kavajës tek “pallatet Delijorgji” si dhe tek “pallati Arlis” pranë zyrave të policisë bashkiake në Tiranë.

Burimet thanë se call centerat që mashtrojnë qytetarët europian po shtohen kudo në Tiranë pasi kanë marr garanci nga drejtues policie në zonat që operojnë me aktivitetin e tyre të pa ligjshëm.

Lulëzimi i platformave të palicencuara Forex po rrit fitimet ekstraligjore për drejtuesit e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e parave po investohen në blerje të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, sipas agjencive imobiliare.

Paratë nga këto skema mashtrimi fillimisht depozitohen në parajsën fiskale ku është e regjistruar kompania me seli në Izrael, Qipro ose Angli, që nënkontrakton një call center në Shqipëri. Në vendin tonë, komisioni për kompaninë call center vjen i tjetërsuar nëpërmjet faturave për shërbime marketingu, informatike, konsulence financiare dhe dixhitale, të lëshuara nga shteti ku ndërmarrja operon.

“Monitor” zbardhi kontratën e një kompanie të regjistruar në parajsë fiskale me seli në Britaninë e Madhe që për kamuflim kërkon të nënkontraktojë call center-ët në Shqipëri. Në kontratë përcaktohet se kompania Astra Financial Limited (AFL), e regjistruar në Republikën e Vanuatu-s (offshore), me numër HE 300266 me seli në Angli, kërkon partner shqiptar që do të nënkontraktohet për shërbimin call center dhe do të paguhet me komisione mbi 2,500 dollarë.

Mashtrimi legjitimohet me kontratë, në të cilën përcaktohet se kompania call center do të paguhet nga kompania AFL, e regjistruar në parajsë fiskale nga fitimet që rrjedhin prej llogarive të bllokuara, pasi janë mashtruar klientët. Pagesa për komisionin e kompanisë shqiptare do të kryhet një herë në çdo 14 ditë nga data 1 e çdo muaji kalendarik dhe data 14 e çdo muaji kalendarik.

“Pagesa do të bëhet sipas raportit të kompanisë për bilancin e depozitës neto të miratuar të muajit paraprak (në varësi të vonesave, për shkak të sistemeve të pagesave me kartë krediti), të gjitha në përputhje me regjistrat e kompanisë, të cilat do të konsiderohen prima facie (përgjegjës kryesor për pagesat e komisioneve), dëshmi të përmbajtjes së tyre, pas zbritjes së mashtrimeve, kthimeve të parave, llogarive bankare të bllokuara, etj.”, nënvizohet në kontratë.

Dokumenti specifikon edhe rastet kur kompania nuk mban asnjë përgjegjësi ndaj partnerit shqiptar në lidhje me pagesat e shpërblimit.

Rreth gjysma e shumës së grabitur (fitimet) do të jenë për kompaninë që kryejnë shërbimin call center, nëse lista me personat që do të mashtrohen krijohet nga kontraktori (lista e personave që merren në telefon për të investuar në bursë krijohet nga kompania e regjistruar në offshore.)

“Në çdo rast në të cilin partneri ka gjeneruar të ardhura nga burimet e tij, ose listat e klientelës, të cilat nuk ishin të listuara në regjistrat e Kompanisë, atëherë Partneri do të marrë një shumë prej 45% të depozitës neto të miratuar. Për të shmangur çdo dyshim, kompania do të marrë një listë specifike në Excel, e cila do të pasqyrojë rezultatet e sjella nga përpjekjet e nënkontraktorit”.

Shërbimi i operatorëve call center

Të punësuarit në platformat Forex janë të vendosur brenda ambienteve të një operatori call center, që për kamuflim ka edhe të punësuar të tjerë në fushata shërbimi për pagesat e faturave të energjisë, gazit apo telekomunikacioni.

Burime nga tregu call center pohuan se fillimisht, të interesuarit për bursën “joshen” nga skuadra “opening” e platformës të palicencuar, të cilët janë operatorët që flasin në gjuhën angleze, spanjolle apo italiane. Pasi të interesuarit i prezantohet faqja pirate, do të telefonohet për së dyti nga operatorët e grupit “first time depozit”.

Detyra e tyre është të orientojnë klientët për mënyrën e funksionimit të faqes online dhe vendosjen e depozitës së parë me vlerë 250 – 300 euro. Pasi lojtarëve të bursës u lihet kohë të ambientohen me faqen pirate online, ata telefonohen përsëri nga punonjësit e strukturës kryesore që njihen si “retention”. Në çdo platformë të palicencuar burse ekzistojnë të paktën 4 retention-s, që orientojnë lojtarët se si të veprojnë.

P.sh., të blejnë 1 monedhë virtuale Bitcoin, pasi pas 1 jave vlera e saj do të rritet (por ky është një informacion i rremë dhe mashtrim, pasi e këshillon të investojë 50 mijë euro për 1 monedhë Bitcoin në një platformë Forex të palicencuar). Më pas klienti telefonohet për t’i njoftuar se ecuria e monedhës virtuale në bursë është përkeqësuar dhe për këtë arsye ka humbur 15 mijë euro. Por situata mund të rikuperohet, nëse do të investohen edhe 30 mijë euro të tjera në një monedhë tjetër virtuale. Në rast se retention-s bindet se klienti i tij nuk dëshiron të investojë para të tjera, i merren 50 mijë eurot e depozituara dhe zhduket llogaria bankare.

“Individët që investojnë në Forex-at e palicencuara ‘me duart e tyre’ kryejnë transferta bankare në një platforme online që nuk e njohin dhe nuk e dinë se çfarë do të bëhet më pas me të. Këtyre njerëzve, përveçse u thuhet të investojnë në disa tregje që as vetë operatori nuk i njeh, por edhe më keq i mashtrojnë duke u thënë të investojë në një faqe që nuk është e licencuar. Në qendër të kësaj skeme mashtrimi është platforma Forex, e cila nuk është e licencuar nga institucionet përkatëse ndërkombëtare të bursës dhe vetë kompania zotëruese e kësaj faqe është e regjistruar në offshore”, pohuan burime nga tregu call center.

Rritet pastrimi i parave në call center

Në call center-ët shqiptarë është rritur veprimtaria e skemave të pastrimit të parave. Elvis Koçi, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave (DPPPP), tha për “Monitor” se gjatë viteve të fundit 2017-2020 është vënë re një tendencë e raportimit nga subjektet e ligjit, të rasteve të dyshimta të aktiviteteve (skema të dyshimta të pastrimit të parave që lidhen me shoqëri që operojnë si “Call Center”/Shoqëri Telematike”.

“Në vitin 2018, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave ka kryer një analizë në lidhje me personat fizikë dhe juridikë që ushtrojnë aktivitet si call center dhe problematikat e evidentuara janë adresuar në organet përkatëse. DPPPP ka përcjellë sinjalizimin në ato raste kur ka hasur indicie për transaksione që mund të konsideroheshin si veprimtari të tilla, qoftë te Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve, por edhe tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si autoriteti i fushës.

Në rastet kur nga subjektet e ligjit sinjalizohet një rast i dyshimtë që lidhet me transaksione apo dyshime për “platforma on line”, rasti parimisht trajtohet si rastet e tjera dhe nëse konstatohen dyshime për pastrim parash, apo financim terrorizmi, dërgohen më tej për ndjekje të mëtejshme në institucionet ligjzbatuese apo të inteligjencës. Gjithashtu, bazuar në ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i ndryshuar, DPPPP shkëmben informacion edhe me njësitë homologe të huaja (kërkesa drejt dhe nga homologët, informacione spontane)”, nënvizon z. Koçi.

Për sa i përket analizimit të rasteve të pastrimit të parave, përfshirë këtu edhe nga shkëmbimi i informacioneve me njësi homologe të huaja, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave shpjegon se nuk janë evidentuar tipologji apo trende që lidhen specifikisht me platforma online mbi shitjen dhe blerjen e aksioneve.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *