Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka qenë i pranishëm këtë të martë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Veliaj i është përgjigjur akuzave të kreut të PD, Sali Berisha ku ky i fundit ka shpërndarë një lajm të rremë në lidhje me aksidentimin e një punonjësi të mbledhjes së mbetjeve në Sukth të Durrësit.
Veliaj tha se rikthimi i Berishës dhe i Metës, rikthejnë helmin dhe përçarjen, ku theksoi se “kryetari i Bashkisë nuk rri pas çdo kazani plehrash apo pas çdo makinë industriale teknologjike që mbledh plehrat. Nëse ndodh një aksident është shumë e rëndësishme të hetohet, policia të bëje punën e saj”.
“Rikthimi i Saliut dhe Ilir Metës rikthen helmin, toksinat, ndasitë, përçarjen, shpifjen, lajmet e rreme në politikë. Luli mirë, keq, ishte pak fytyrë më civile, kurse këta janë komplet të pacipë. Mjafton të shikoni çfarë postonte Saliu dje. U çua e gjithë Shqipëria ta sqaronte që Sukthi nuk është fare në Tiranë, por në Durrës. Edhe po të ishte në Tiranë, kryetari i Bashkisë nuk rri pas çdo kazani plehrash apo pas çdo makinë industriale teknologjike që mbledh plehrat. Nëse ndodh një aksident është shumë e rëndësishme të hetohet, policia të bëje punën e saj”, tha ai.