Gjatë takimit me kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës, kryeministri Rama ka veçuar Najada Çomon dhe Luljeta Bozon, duke thënë se kanë pasur rol të rëndësishëm gjatë pandemisë dhe tërmetit. Ai thuri lavde për skuadrën e PS-së, duke e cilësuar një kombinim të mirë ndërmjet eksperiencës dhe aftësive. Kreu i qeverisë vuri në dukje ndër të tjera se zgjedhja e këtyre dy emrave nuk është rastësore, ndërsa kanë patur një rol të jashtëzakonshëm në 15 muajt e fundit.
“Luljeta me Najadën nuk janë zgjedhje të rastësishme. Çfarë do të kishim bërë, si do të mund ta përballonim si shoqëri goditjen nga virusi, nëse nuk do të kishim bërë gjithë ato punë të mëdha që janë bërë në sektorin e shëndetësisë.
Është e paimagjinueshme ta mendosh që çfarë mbështetje, përkujdesje, mundësie do të kishte sistemi ynë shëndetësor, për t’u qëndruar mjekëve, infermierëve dhe sallat e reanimacionet nëse virusi do të kishte zbritur disa vite më parë, kur sistemi ynë ishin në një gjendje, të thuash e mjerueshme është pak.
Prania e Luljetës dhe Najadës në këtë skuadër është nga njëra anë adresimi i nevojës së përfaqësimit tek kategori profesionistësh dhe individësh, që kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në këto 15 muaj të fundit nëse nisemi që nga tërmeti”, tha Rama.