Lulzim Basha, viktima perfekte e dhunës që do të cënojë zgjedhjet

Nga: Lorenc Vangjeli

Do të bëhet edhe më keq! Do të ketë edhe më shumë ankth e tmerr në fushatën elektorale, më shumë ndeshje dhe më pak dialog, më shumë muskuj e më pak mend, më shumë klithma dhe më pak argument. Skenat e dhunshme në selinë e FRD-së, nuk ishin as betejë për demokracinë që cungohej duke cënuar një grupim periferik politik dhe as betejë për rikthimin e ligjshmërisë duke rimarë bashkia godinën.

Në Elbasan, në Ditën e Verës nuk pati përplasje ekonomistësh, fjala vjen, që ndesheshin me stilolapsa për epërsinë reciproke të taksës progresive mbi taksën e sheshtë dhe anasjelltas. Ata ishin militantë që e dinë mirë se ngjyra politike në qeverisje shpërblen tifozët reciprokë politikë. Këto ngjarje nuk janë janë dy histori të veçuara dhe dy shpërthime sporadike tensioni. Ato janë prologu që dëshmon se situata do të perceptojë shumë më keq dhe se dhuna, egërsia e deri edhe përplasja fizike, do të jenë personazhe të kësaj fushate zgjedhore shumë më shumë se fushatat pararendëse. Kjo është klima që reflekton nerva të tendosura, por nervat janë këshilltari më i keq në politikë. Kushdo që dëshiron të dëgjohet larg, duhet të flasë me zë të ulët. Të vërtetat bërtasin vetë, por kush bërtet, si rregull, humbet edhe të vërtetën e tij. Ose së paku, në rastin më të mirë, ajo i refuzohet sepse nuk i dëgjohet.

Polarizimi i thellë i shoqërisë është një llogore që i intereson kryesisht qeverisë. Ai kompaktëson militantët, kufizon me gardh fetat tradicionale të elektoratit, por mban larg votuesin e ri dhe votuesin racional, demotivon totalisht të pavendosurit, të cilët mund të krijojnë pikën kritike për të përmbysur balancat. Sa më pak shqiptarë në votime, aq më shumë shanse ka qeveria. Sa më shumë indiferentë, aq më tepër do të mbetet në fatin e saj të paqartë opozita. E cila duke i fryrë daulleve të betejave të përditshme të forcës, rrezikon në mënyrë matematike betejen finale në kutinë e votimit.

Eshtë e vështirë të kuptohet se pse Basha dhe këshilltarët e tij nuk arrijnë ta kuptojnë këtë të vërtetë aksiomatike. Në emër të interesit të tij dhe nëse do të ishte vërtet njeri i lirë në zgjedhjet që bën, Basha ndoshta do të duhej të bënte gjest force deri edhe kundër aleatit të tij kundërshtar Ilir Meta. Do të duhej detyrimisht që të garantonte bashkëpunimin me të, së paku fronte të ndryshme me të, por me përdorim armësh të njëjta. Por kjo do të ndodhte me kushtin e vetëm nëse mes tyre do të kishte besim reciprok dhe nëse ndryshe nga sa duket në publik, mes tyre nuk do të zhvillohej ndeshja klasike mes atij që ruan me dhëmbë atë që ka krijuar vetë dhe atij që luan me dhëmbë me atë që i kanë dhuruar të tjerët.

Lulzim Basha është viktima perfekte dhe e vetme e dhunës elektorale. Atij i nevojitet të jetë zjarrfikës dhe jo lojtar me zjarrin, të shmangë dhunën dhe jo ta frymëzojë atë. Dhuna i garanton atij vetëm një fitore që nuk i hyn në xhep: alibinë për humbjen, ndërkohë që në xhepin tjetër ka një fitore të sigurt! Për të fitore është rikthimi i opozitës në institucione dhe rithemelimi i opozitës si institucion. Atëherë mund të ketë edhe mundësinë e rrallë për t’u larguar si njeri i lirë nga politika që i dha gjithçka dhe për t’u përmendur si një humbës i ndershëm politik.

Për dikë që vjen nga jashtë dhe që nuk e njeh filozofinë e mullirit elektoral shqiptar, është shumë e lehtë që të kuptojë se diferencat programore mes palëve janë minimale. Ato nuk shpjegojnë dhe nuk sugjerojnë asnjë shpjegim racional sepse ka kaq nervozizëm mes palëve. Polarizimi ekstrem nuk ka të bëjë me diferencat politike mes palëve, por me diferencën e jashtëzakonshme mes të qenit në pozitë apo në opozitë. Ky është ndryshimi kryesor mes palëve. Kjo është dëshmia se pse në emër të pushtetit, armiq të egër si Berisha e Meta apo Meta e Rama, arritën të bëhen bashkë dje dhe kjo është arsyeja sepse, armiq të rinj si Rama e Basha, mund të bëhen bashkë nesër. Pjesa tjetër është një gënjeshtër e madhe, aq shumë e përsëritur, sa me gjasë e besojnë edhe vetë gënjeshtarët kronikë të Tiranës.

Po të ishte vetëm për faktorët lokalë, mund të parashikohet me mundësi matematike që 25 prilli do të prodhojë zgjedhje të prishura. Faktori ndërkombëtar ndërhyri dy herë, në mënyrë gati brutale në politikën vendase duke e shpëtuar atë nga kaosi dhe kriza e thellë. Zgjedhja e tyre mes stabilitetit dhe standarteve të demokracisë, bëri që ata të zgjidhnin një Shqipëri stabël atëherë kur standartet u cënuan nga djegia e mandateve dhe bojktoti i zgjedhjeve lokale. Kësaj here do të jetë sërish e treta e vërteta, në mënyrë që në kohën që trupat e NATO-s që kanë paralajmëruar marshim në Shqipëri në javën e fundit të prillit, të mos ndeshen me turma të zemëruara që bërtasin avazin e vjetër me Ik e Hajde të drejtuesve politikë në vend. Sytë e stabilitetit nuk dallojnë diferencë mes thinjave të mjekrës së Ramës dhe flokëve edhe pa thinja moshe të Bashës, kurse dhuna po! Ajo do të njohë Bashën si viktimën perfekte të një loje që ai nuk mundi ta luajë dot.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *