Intervista/ Lulzim Veliu: Ngritja e Asociacionit duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ndërkombëtarët t´i kërkojnë edhe Serbisë të zbatojë marrëveshjet e arritura

 

Nga Klara Dervishi

Asgjë nuk është e qartë se si do zgjidhet konkflikti i radhës por që është i vetmi në fakt midis Kosovës dhe Serbisë derisa kjo e fundit ta njohë atë si shtet. Sinjale pozitive vijnë nga Brukseli, dhe thuhet se mund të ketë shpejt një takim midis Kurtit dhe Vuçiç dhe se ndërkombëtartë këtë herë kanë marë parasysh kushtet e Prishtinës zyrtare për të ecur para me krijimin e Asociacionit. Nuk dihet nëse kjo do sjellë diçka të re në kaq muaj intensive takimesh apo edhe kriza e tensione  të provokuara nga Serbia, por ajo që dihet është që të paktën Albin Kurti ka arritur ta ndërkombëtarizojë e t´i çojë bisedimet në një drejtim ku në mos ta barabarta, Kosova dhe Serbia të shihen gati njësoj.

Priza.al ka biseduar këtë herë me Zotin Lulzim Veliu

  1. U duk sikur ishte shumë afër një marrëveshje kosovë-serbi, një marrëveshje pa njohje por që u konsiderua si një bazë e mirë për njohjen? Por palët janë ende larg zoti Veliu. Sa e mundur është një marrëveshje?

Kanë kaluar njëzet e katër vite nga përfundimi i luftës dhe pesëmbëdhjetë vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe ende nuk kemi një marrëveshje në mes dy vendeve, marrëveshje e cila do t‘ju hapte dyert e integrimeve Euroatlantik Kosovës dhe Serbisë. Ka kaluar një kohë e gjatë nga fillimi i bisedimeve në Vjenë, mirëpo një intensitet të shtuar të bisedimeve nuk e kemi parë deri më tani asnjeëherë më parë.

Invazioni Rus mbi Ukrainën pra lufta në mes të Europës sikur ua hapi sytë dhe ju rikujtoi se gjërat që harrohen mund edhe të përsëriten.

Tani BE dhe SHBA janë të interesuara sa më shpejtë që është e mundur të arrihet një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë për këtë arsye kanë dalë me planin Franko-Gjerman si marrëveshje për normalizim të marëdhënieve në mes dy vendeve pa detyrim për njohje por që do t´i hapte rrugën dy vendeve për integrime për këte arsye edhe është rritur presioni mbi liderët e dy vendeve. Dhe kjo na shtyn të besojmë se një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve do të jetë e shpejtë dhe e detyrueshme.

  1. Në fakt ajo që i mban palët larg është asociacioni. Është normale të krijohet një “shtet“ i vogël serb brenda një shteti si Kosoves?

Në pakon e Ahtisarit është menduar për një bashkësi komunash të komunitetit serb gjë që për mendimin tim ishte i padrejtë dhe joparimor pasi plani i Ahtisarit në tërësinë e tij parasheh ndërtimin e një shteti multietnik ndërsa asociacionin një etnik, për çka edhe vetë Ahtisari është penduar. Të gjitha pikat e pakos pastaj janë dialoguar dhe një nga marrëveshjet më të këçija që kanë bërë qeveritë e Kosovës 2013 dhe 2015, ka qenë asociacioni i komunave me shumicë serbe (zajednica).

Pastaj nga opozita e asaj kohe (Lëvizja Vetëvendosje) është dërguar në Gjykatën kushtetuese e cila e ka pranuar dhe përshëndetur statutin për asociacionin por 23 nene të statutit i ka vlerësuar se janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe si të tilla duhet përshtatur. Nga ajo kohë e sot asociacioni (zajednica), ka qenë e mbetet kauzë e LVV.

Meqënse marrëveshja për asociacionin është marrëveshje ndërkombëtare mendoj se kryeministri Kurti është dashur ose duhet të pregatitë një draft-statut për asociacionin pa konpetenca ekzekutive në pajtueshmëri me kushtetutën e Kosovës për të shmangur presionin ndërkombëtar.

  1. Në fakt ajo që bie në sy është se Kurti nuk ka thënë se është kundër asociacionit por që ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Pse nuk ka një deklarim të qartë ose garanci nga ndërkombëtarët që ai duhet dhe do jetë në përputhje me Kushtetutën?

Qëndrimi i ndërkombëtarëve për asociacionin ka qënë shumë i qartë se duhet bërë, këtë më së miri e ka thënë përfaqësusi i SHBA në shtator të vitit të kalur kur ishte në Prishtinë, ai kërkoi nga kryeministri Kurti të shqyrtoj mundësinë e asociacionit duke thënë „Në qoftë se nuk pajtoheni me versionin aktual të asociacionit të propozoni ju një draft për asociacionin“.

Ndërsa deklaratat e kryeministri dhe qeverisë për asociacionin më shumë janë populiste se sa parimore. Me veprime të tilla sikur po ju mundëson të tjerëve të merren me punët e qeverisë e ata vetë shohin nga jashtë zhvillimet rreth asociacionit si ndodhi javën e kaluar kur instituti Fridrich Erdber Stiftung prezantoi një statut për asociacionin dhe në vete përmbante shumë elementë të shtetësisë siç janë flamuri, stema, kuvendi e Presidenti.

  1. Përpjekjet për devijim nga Kushtetuta është komentuar si tmerrësisht e rrezikshme edhe për Ballkanin, jo vetëm për Kosovën,dhe si një nënshtrim ndaj ultranacionalizimit serb. Qëndron ky shqetësim?

Jo jo, devijim nga kushtetuta nuk do të ketë pikërishtë është kushtetua apo gjykata kushtetuese që ka ndaluar zbatimin e asociacionit deri më tani pasi ne të gjithë e dimë se asociacioni është ratifikuar në parlamentin e Kosovës dhe në qoftë se dikush duhet të ndërhyjë në kushtetutë është pikërisht Serbia e cila ende në kushtetutën e saj ka Kosovën si pjesë të Serbisë.   Në situatën në të cilën gjendemi ne nuk shof asnjë rrezik nga ultranacionalizmi serb.  Është dicka e tejkaluar, nuk është rreziku i viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Kanë ndryshuar raportet edhe në politikat ndërkombëtare gjë që ua bënë të pamundur.

  1. Këto ditë politolgu i njohur, Janusz Bugajski ka thënë se Washingtoni dhe Brukseli po ndezin një tjetër fitil ballkanik duke ushtruar presion mbi Prishtinën për të krijuar një Asociacion të Komunave me shumicë Serbe (AKS). Si e shihni ju një acarrim konflikti në këto momente?

Janusz Bugojski është një njohës i mirë i situatës në Ballkan e posaçërisht i çështjes Shqiptare dhe si i tillë që është ka reaguar në këtë mënyrë pasi edhe si ka frikën nga Serbia për mos respektimin e marrëveshjeve. Ështe fakt se Washingtoni dhe Brukseli kërkojnë realizimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe por gjithmonë në pajtueshmëri me kushtetutën e Kosovës, dhe pikërisht për këtë arsye unë mendoj se kryeministri i Kosovës zoti Kurti duhet të merret seriozisht me këtë temë që ajo të mos mbetet në duart e shoqërisë civile me propozime për statutin e saj si ishte rasti me institutin Fridrich Erdber Stiftung por të angazhohen konstitucionalisteët më të mirë që ka vendi.

  1. Këto takimet kaq të shpeshta të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe deklarata se çfarë është formosur do zbatohet a janë në fakt kërcënim për Kosovën?

Vizitat e shpeshta të përfaqësuesit të BE z. Lajçak por edhe atij të SHBA-ve z.Eskobar, edhe takimet në Bruksel nuk janë gjë tjetër por vetëm presion për të arritur deri te marrëveshja sa më shpejt që është e mundur.

Ndersa sa ju perket marrëveshjeve të arritura deri më tani kërkohet nga dypalët të zbatojnë marrëveshjet e arritura të cilat janë negociuar dhe nuk janë të imponuara nga askush, derisa Kosova nuk ka zbatuar asociacionin për komunat me shumicë serbe. Serbia ka shumë marrëveshje që nuk po i zbaton duke fillur me të pagjeturit, marrëveshja për kagastrën, marrëveshja për targat, marrëveshja për energjinë elektrike etj.

7. Si e vlerësoni ju planin franko-gjerman zoti Veliu? A është vërtet ai një bazë për një hap të mirë më pas apo thjesht edhe këtë herë ndërkombëtarët do arrijnë diçka që do mbetet përsëri në letër?

Duke pasur për bazë një kohë të gjatë që ka kaluar dhe nuk kami pasur levizje nga vendi në dialogun Kosovë-Serbi, mendoj se plani Franko-Gjerman është një bazë e mirë jo vetëm për përafrimin e palëve dialoguese por edhe për integrimet Euroatlantike. Mendoj por edhe besoj se tanimë ka kaluar koha kur Serbia do zërë dy ulëse në një Europë e një në Rusi, ka kaluar ajo kohë dhe kjo ia bënë të pamundur Serbisë të anashkaloj marrëveshjet e arritura.

  1. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nga marrëveshja do të përfitojnë të dyja shtetet serbia dhe Kosova. SHihni ju përfitim të Kosovës dhe çfarë mund të përfitojë Kosova?

Plani Franko-Gjerman pra propozimi per normalizim te marrëdhënieve në mes dy vendeve nuk është marrëveshje përfundimtare por është një platformë e mire që do të ndihmojë në negociatat e mëtutjeshme dhe njëkohësisht dy vendet përfitojnë me pranimin e këtij plani.

Sipas asaj çfarë kemi parë e dëgjuar deri më tani me pranimin e këtij plani Serbia nuk pengon integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare përfshirë edhe NATO-n dhe OKB-në, pastaj me pranimin e këtij plani pritet edhe njohja nga pesë vendet e BE që ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosoves.

  1. Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty ka deklaruar se qëllimi i atyre që më kërcënuan nuk ishte të më vrisnin, por që t’ua lënë fajin shqiptarëve. Si e shihni edhe këtë tentativë për të fajësuar sërish shqiptarët?

Ish raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty vite më parë kishte qëllimin e tij me miratimin e rezolutës kundër Kosovës. Fatkeqësisht edhe me votat e opozitës së sotme Shqiptare, ndërsa çfarë ai thotë sot është irelevante. Sa i përket tentativës për të fajësuar Shqiptarët nuk është diçka e re që do të na shqetësonte.

  1. Dhe një pyetje në fund për skandalin me ish shefin e FBI ku i përfshirë direkt është edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Sa e rëndë është kjo duke parë që besueshmëria e marrëdhënieve të qeverisë shqiptare me SHBA?

Është fakt se është folur shumë për rastin në fjalë mirëpo deri më tani qëndrojmë vetëm te akuzat që bënë të arrestohet një zyrtar për t´u liruar më vonë, pra derisa çështja është në duart e drejtësisë nuk jam i prirë te paragjykoj, pas verdiktit gjyqësor mund të flasim për pasojat.

Faleminderit zoti Veliu

12 shkurt, Düssedorf, Deutschland

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *