Vetëm dy ditë më parë Lushnja u kthye furishëm në vëmendjen e mediave për dy arrestime të bujshme në kuadër të sagës korruptive në Bashkinë e saj.
Pas ish-kryebashkiakut Fatos Tushe, që tashmë është në burg, korrupsioni në Bashkinë e Lushnjës çoi në pranga edhe nënkryetarin Gentian Nushi, si dhe disa zyrtarë të tjerë.
Por mediat kanë zbardhur disa detaje të reja për zëvendësin e Tushes, Gentian Nushin.
Nushi jo vetëm mbante detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Lushnjës, por kishte edhe një funksion politik mjaft të rëndësishëm. Ai është kryetar i degës së Partisë Socialiste në Lushnjë.
Por ky fakt u fsheh çuditërisht ose më mirë nuk u përmend nga mediat.
PS është treguar hermetike dhe ka arritur deri aty sa në asnjë media, emri i Gentian Nushit, nuk njihet si kryetar i degës së PS-së Lushnjë.
Dhe nuk po flasim për një anëtar të rëndomtë partie, apo qoftë edhe drejtuesin e një strukture të vogël, por për kryetarin lokal të partisë që qeveris vendin prej dy mandatesh, ndërsa ka nisur edhe të tretin.
Mbi të gjitha, i pakuptimtë mbetet edhe hezitimi i përfaqësuesve të Partisë Demokratike, për ta raportuar një gjë të tillë, pasi akoma më shumë në një qytet si Lushnja ku interesat lidhin edhe armiqtë, lidhjet dhe marrëveshjet mund të lidhin fare mirë edhe kundërshtarët politikë.
/Priza.al/