Astrit Patozi dhe Dashamir Shehi kanë arritur marrëveshjen për të garuar së bashku në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ata paralajmëruan në një deklaratë të përbashkët për mediat se nëse opozita do të dalë me 2, 3 apo më shumë kandidatë, edhe grupimi i tyre do të nxjerri në kandidat për zgjedhjet lokale.
“Ne jemi të hapur për parti të reja. Besojmë se do jetë fillimi i një lëvizje që do të vijë duke u zgjeruar. Njerëzit kanë të drejtë që të mendojnë ndryshe dhe mbase këtu do të shohin një shpresë dhe një frymë tjetër. Nëse PD do të vendosë 2 apo 3 kandidatë, dëshira jonë është që të dilet me një kandidat. Ne jemi munduar që të gjejmë një formula bashkëpunimi. Dëshira të largojmë Edi Ramën dhe të kemi një kandidat për ballë kandidatit socialist. Ne nuk mund të pranojmë më që dy njerëz të drejtojnë Shqipërinë. Nuk pranojmë më marrëveshjen e 2008 mes Berishës dhe Ramës. Ka ardhur dita që Shqipëria të qeveriste ndryshe. Nëse ato nuk bashkohen, ne do kemi kandidatët tonë.” – u shpreh kreu i LZHK-së Dashamir Shehu.
Edhe kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, u shpreh se për sa kohë ka dy fraksione të PD-së ato do të dalin me përfaqësuesit e tyre.
“Përderisa kohë ka dy pjesë të PD-së ne si fraksion opozitar do të kemi përfaqësuesit tanë. Nëse ato do të përçajnë votën opozitare ne do të kandidojmë. Ajo që mund të na bashkojë është kandidati i përbashkët. S’kemi pse të ndjekim një linjë që nuk është e jona dhe nuk e besojmë. Shehi e tha shume mirë. Ne na ndan me Berishën vizioni politik.”– u shpreh Patozi.