“Kam parë një vajzë të bukur ma gjeni kush është”/ Përgjimet e SHÇBA që çuan në pranga efektivët e Korçës dhe Tiranës!

Kam parë një vajzë të bukur dhe jam fiksuar keq. Më gjeni kush është ajo”. Këto janë disa nga përgjimet e SHÇBA ku ka nxjerrë zbuluar një serë shkeljesh nga efektivët e policisë në Tiranë dhe në Korçë.

Fiksimi për një vajzë, lejimi i një dasme dhe kalimi i një automjeti kanë çuar në pranga tre efektivë policie të Komisariatit të Policisë Nr.1 në Tiranë, pezullimin e gjashtë të tjerëve si dhe ka kyçur në shtëpi një efektive, oficere patrulle në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë. Përgjimet e publikuara sot kanë zbardhur edhe arsyet që çuan në pranga efektivët në kuadër të operacionit “Rei” të zhvilluar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesatnjë ditë më parë në Tiranë dhe Korçë.

1. Fiksimi për një vajzë

Durim Murja është një nga punonjësit e policisë së Tiranës i cili ka përfunduar në pranga pasi ka shpërdoruar detyrën. Sipas përgjimeve të publikuara, Murja është telefonuar me datë 8 gusht në orën 17:00 nga kolegu i tij Jon Burri, i cili i ka kërkuar të dhëna në lidhje me një vajzë e cila ndodhej në lavazh pasi kishte sjellur makinën e saj.

Burri i kërkon Murjas të dhëna në lidhje me identitetin, numër telefoni dhe të ngjashme për vajzën me inicialet A.C, pasi e kishte pëlqyer shumë kur e kishte parë. Sipas prokurorisë, fillimisht Murja ka hezituar, por pas ngulmimit nga Jon Burri ka pyetur kolegen e tij Matilda Hamollari që t’i ofrojë të dhënat në fjalë.

Hamollari dhe Murja i sigurojnë Burrit të dhënat e vajzës në fjalë duke kryer një shkelje të rëndë të ligjit mbi të dhënat personale, krahas shpërdorimit të detyrës. Prokuroria ka pyetur edhe vajzën që kishte fiksuar policin, por ajo është shprehur se nuk ka autorizuar askënd që të kontrollojë të dhënat e saj në sistemin e targave të policisë.

2. Dasma! “Hajdeni se po kërcejnë në 12 të natës’ banorët ankohen në polici, efektivi ‘dasmor’ kërkon nga kolegët të mos e ndërpresin festën

I njëjti efektiv, Durim Murja i cili është arrestuar nga SHÇBA ka kërkuar nga kolegët që të mos reagojnë për një dasëm e cila ishte duke u mbajtur pas orës policore, në të cilën ishte pjesmarrës. Policia mori informacion nga banorët se po mbahej një dasëm në lagjen ‘Shkozë’ te ‘Kamberi’ pas orës 23:00 dhe po i shqetësonte nga muzika e lartë.

Efektivi i policisë, Arjan Balla shkon për kontroll në këtë lokal dhe vëren se dasma po zhvillohej ende, megjithatë njofton sallën se denoncimi i ardhur ishte i rremë. Por pas kësaj e njëjta situatë përsëritet sërish pas disa minutash, denoncime të tjera kanë ardhur nga qytetarët lidhur me shqetësimin që u vinte nga muzika e lartë.

Pavarësisht kësaj efektivët rreth orës 01:15 dhe 01:20 kanë njoftuar se denoncimi ishte i rremë. Ndërkohë nga përgjimet rezulton se Durim Murja i cili ishte në përgjim ishte i pranishëm në këtë dasëm dhe gjatë një komunikimi me Arjan Ballën i ka kërkuar që të mos jua ndërpresë dasmën. Në përgjime Balla shprehet i shqetësuar për ankesat dhe presionit që i vinte disa herë nga salla operative, pasi i kishte gënjyer tre herë duke thënë se denoncimi për muzikë kishte qenë i rremë.

3. Kalimi i postbllokut!

Në njërin prej përgjimeve të kryera tek efektivët e Komisariatit të Korçës del në skenë edhe emri i Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi. Në përgjimin e datës 20 korrik 2021, Arjel Dervishi, një qytetar, flet me një tjetër person në telefon. Bashkëbiseduesi e pyet Dervishin nëse e kishte ndihmuar Niko Peleshi të kalonte postbllokun policor në Korçë, të ngritur për të respektuar orën policore. Në përgjigjen që ai i jep deklaron se nuk e kishte ndihmuar Niko Peleshi por e shefi i Komisariatit të Korçës, Krenar Gjokutaj.

Shefi i Komisariatit të Korçës, Krenar Gjokutaj, u pezullua nga detyra pasi ka ndërhyrë për shoferin e një përfaqësuesi të Komunitetit Bektashian në zonë, i cili për shkeljet e bëra duhet të gjobitej me gjobë, e cila sipas aktit normativ parashikon 100-400 mijë lekë të vjetra dhe 30 ditë pezullim për lejen e drejtimit. Efektivët e patrullës i kanë marrë patentën, por nuk kanë mbajtur asnjë procesverbal lidhur me procedurën, duke i kërkuar shoferit që të paraqitej të nesërmen në Komisariat. Këtu shfaqet edhe Gjokutaj, i cili ka ndërhyrë që shoferi të merrte pas patentën, pa u ndëshkuar për shkeljet. Pasi i kanë mbajtur për thuajse një javë lejen e drejtimit, shoferi e ka marrë pas, por pa asnjë gjobë.

NË TOTAL NGA OPERACIONI:

Janë pezulluar nga detyra:

– Krenar Gjokutaj me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Korçë
– Klemend Pikuli me detyrë Shef Sektori i Qarkullimit Rrugor në DVP Korçë
– Petro Fraholli specialist për qarkullimin rrugor Korçë
– Genci Hysi me detyrë agjent verifikues pranë Sektorit Qarkullimit Rrugor DVP Korçë
– Çlirim Akrobati me detyrë agjent verifikues pranë Sektorit Qarkullimit Rrugor DVP Korçë
– Kamber Kllogjeri me detyrë agjent verifikues pranë Sektorit Qarkullimit Rrugor DVP Korçë

Janë arrestuar:

– Durim Murja
– Jashar Shehu
– Arjan Balla, të tre oficerë patrulle në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.

Në “Arrest shtëpie”:

– Matilda Hamolli, oficere patrulle në Komisariatin e Policisë Nr.1, Tiranë.

Si u zbuluan efektivët?

Në fakt, hetimi po kryhej për një dosje tjetër, ku efektivë policie flasin në telefon duke bërë pazare për mbylljen e lokaleve gjatë kohës kur ishin në fuqi masat anti-COVID dhe vendi ishte në shtetrrethim. E gjitha kishte nisur nga Korça, ku edhe po përgjohej për trafikun e sirianëve dhe sigurimin e kalimit të tyre nga Greqia për në Shqipëri e nga atje në vendet e Bashkimit Europian. Por në fakt efektivët flisnin për gjëra të tjera, duke bërë që përveç atyre që ishin vënë në ‘shënjestër nga SHÇBA-të, të zbuloheshin dhe të tjerë. Dosja.al, ishte e para e cila raportoi për aksionin e zhvilluar.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *