“Ma jep kur ta mbarosh”/ Libri i ri i Desantila Vatnikaj, një leksion mbi dashurinë!

Desantila Vatnikaj, me profesion juriste por me një pasion shumë të madh për letërsinë, ka publikuar librin e saj të tretë, “Ma jep kur ta mbarosh”, i cili i pason dy të tjerët: “Në prekjen tënde, gjeta veten time”, “Edhe unë”.

Prej kohësh Desantila zotëron blogun e saj, i cili gjithmonë është i mbushur me shkrime të ndryshme që emocionojnë lexuesit dhe ndjekësit e saj.

Kur autorja thuajse dy muaj më parë njoftoi se po përgatitej për publikimin e librit të saj të tretë, të gjithë lexuesit e saj të mëparshëm me siguri kanë pasur të njëjtën dëshirë:

Të mësonin si vazhdon historia e Hanës, personazhit të dashur të librit të dytë të Vatnikajt të titulluar “Edhe unë”. Mundeni lirisht të fërkoni duart, sepse është pikërisht ajo që prisnim!

Më 8 nëntor, në një event që do të celebrojë krijimin e saj më të ri, shkrimtarja Desantila Vatnikaj do të publikojë romanin “Ma jep kur ta mbarosh”, titulli tejet i goditur i së cilit me shumë gjasa do të jetë një frazë që do ta ndjekë këtë libër për një kohë të gjatë.

Që në faqet e para të romanit, Vatnikaj ka aftësinë ta përfshijë lexuesin në një ndjesi ngrohtësie, ndonëse ngjarjet zhvillohen në Poloninë e ftohtë, gati si një ftesë në shtëpinë e saj, një ndjenjë familjariteti që do ta vlerësojnë veçanërisht lexuesit e saj besnikë të cilët do të shquajnë menjëherë stilin unik të të shkruarit.

“Ma jep kur ta mbarosh” vjen si një bisedë me një mikeshë të ngushtë, që shumë shpejt shndërrohet në një komunikim intim me veten, me reflektime mbi të shkuarën e të ardhmen.

Ashtu si në krijimin e saj të mëparshëm, Vatnikaj zbërthen një e nga një ndjesitë më personale të personazhit kryesor Medlin Miler, sikurse ajo vetë do të zbërthente mekanizmin e një ore për të analizuar çdo element deri në grimcën më të vogël, për të dalë në fund në atë që është dhe esenca e romanit: “Gratë e forta ia dalin gjithmonë!”

Ky mesazh sigurisht nuk është rastësor. Krahas profesionit si juriste e pasionit të saj për të shkruarit, Desantila Vatnikaj është gjithashtu një aktiviste e të drejtave të grave dhe organizatore e eventeve për 8 marsin që kanë tërhequr jo pak vëmendje ndër vite, çka shpjegon dhe dashurinë e saj për figurat e grave frymëzuese në romanet që mbajnë autorësinë e saj.

“Ma jep kur ta mbarosh” është një leksion mbi dashurinë në të gjithë spektrin e saj, por mbi të gjitha për veten. Një reflektim për dhembjen që shkakton humbja e dikujt, për respektin e për lirinë.

Një histori e rrëmbyeshme dashurie që falë talentit të autores për të surprizuar në mënyrën më të papritur lexuesin, do t’ju mbajë në ankth për të mësuar gjithnjë e më shumë, e pse jo edhe për të pritur me padurim ndoshta një vëllim të tretë.

/Burimi: iconsyle.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *