Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar sot një letër urimi presidentes, Vjosa Osmani, për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në letrën e tij, Macron ka thënë se Kosova ka përkrahjen e plotë franceze në forcimin e sundimit të ligjit, ndërsa ka bërë thirrje që t’i kushtohet rëndësi rifillimit të diskutimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja.
Macron tregon se me agresionin rus ndaj Ukrainës, Ballkani Perëndimor është bërë fokus i BE-së, teksa përmend interesimin e kompanive franceze për investime në Kosovë.
“Situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është ajo në të cilën jemi fokusuar gjatë presidencës sonë të Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2022. Në këtë drejtim, përshëndes solidaritetin e treguar nga Kosova për pritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas. Në këtë kontekst të mbushur me kërcënime dhe vështirësi, inkurajoj Kosovën që të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet e ndërmarra për forcimin e sundimit të ligjit, në mënyrë që të lehtësojë integrimin e saj evropian. Për ta bërë këtë, mund të mbështeteni në përkrahjen tonë”, ka thënë Presidenti Macron.
Macron e konsideron thelbësore diskutimin në mes të dy shteteve për të vazhduar perspektivën evropiane dhe se pret angazhim të plotë nga të dyja palët.
“Është gjithashtu thelbësore të rifillojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili është një element qëndror për perspektiven evropiane të të dy vendeve dhe për sigurimin e stabilitetit të rajonit dhe kontinentit evropian. Ne presim që të dy vendet të angazhohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE”, përfundoi ai.