Mbretëresha e muzikës pop, Madonna, është ndër personazhet e radhës që i është bashkuar TikTok-ut, një nga platformat sociale më të përdorura të viteve të fundit. Këngëtarja 63-vjeçare ka postuar një video të shkurtër, ku në sfond dëgjohet versioni i ripunuar i këngës së saj të famshme “Frozen”, e cila i ka “trembur” paksa fansat.
E veshur me një bluzë të zezë transparente, plotësuar me varëse diamanti dhe me gërsheta që të kthejnë pas në vitet ’90, këngëtarja e njohur duket thjesht ndryshe, e jo për shkak të zgjedhjes së guximshme, por tipareve të saj dukshëm të fryra. Buzët, mollëzat, hunda dhe linjat e nofullave nuk kanë asnjë lidhje me tiparet e dikurshme të këngëtares dhe fansat nuk mund të mos e vinin re këtë gjë. Të shumtë kanë qenë ata që kanë reaguar dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me këtë gjë.
“Ç’ka ndodhur kështu me ty?”, “Është shumë shqetësuese e gjitha kjo”, “Kjo video është thjesht e frikshme” janë disa prej komenteve më të shpeshta që i janë bërë, por artistja e njohur nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Nuk është hera e parë që këngëtarja ka rënë pre e kritikave për shkak të abuzimit me operacionet plastike, apo filtrat.