Kur John Alite ishte pjesë e familjes mafioze Gambino në Nju Jork, kërcënimet ndaj të tjerëve bëheshin me thika, plumba dhe shkopa bejsbolli. Por asnjë mafioz që kishte vlerësim për veten nuk do të kërcënonte dikë përmes një mesazhi në telefon.
Kështu deklaroi në një intervistë për “Daily Mail” mafiozi me origjinë shqiptare, sot i shndërruar në autor librash dhe folës publik. “Çdokush që dërgon mesazh në telefon nuk e ka idenë se çfarë do të thotë të jesh gangster”, ironizon 59-vjeçari shqiptar Alite, duke folur për mediat britanike.
“Çdokush mund të bëjë si i fortë në telefon, por kur ke ndërmend të tregohesh i dhunshëm nuk ke pse e paralajmëron tjetrin. Atëherë nuk flisnim në telefon ose t’i shkruanim dikujt diçka por shkonim ta bënim atë që donim direkt, por këta djemtë e rinj mendojnë se janë më të zgjuar se të vjetërit, ata mendojnë se janë më të zgjuar se të gjithë,” thotë ai.
Ankesa e Alite është një vajtim mes mafiozëve të “shkollës së vjetër” të Nju Jrokut, të cilët po u bëjnë thirrje të rinjve të sotëm që të heqin dorë nga përdorimi i telefonave dhe rrjeteve sociale.
Një padi federale e muajti të kaluar zbuloi një të ri të kërcënonte një zyrtar të sindikatës përmes një teksti në rrjetet sociale duke shkruar: “Kjo është hera e dytë që të shkruaj, nuk do të ketë një herë të tretë”.
Kërcënimi përfundoi në duart e policisë, gjë që i ndihmoi për të arrestuar 16 anëtarë të familjes së krimit Colombo, përfshirë edhe kapon e vjetër Andre Russo, 87 vjeç, të cilët janë të gjithë në pritje të gjyqit.
Ndërsa një anëtar i familjes Colombo u arrestua pasi i biri postoi foton e të atit në një pishinë në Florida.
Ish-grupet e Russo-s, nga klani i famshëm i Colombo-ve, një nga 5 familjet që përbënin mafian italo-amerikane të Nju Jorkut, akuzohet për zhvatje, mashtrim e trafik droge.
Prokurorët thonë se ata terrorizuan zyrtarët për të lidhur kontrata me miqtë e tyre mafiozë dhe plaçkitën para nga fondi fitimprurës i kujdesit shëndetësor i sindikatës.
“Unë do ta vë atë në tokë para gruas dhe fëmijëve të tij,” Vincent Ricciardo, një mafioz 75-vjeçar me nofkën Vinny Unions, u dëgjua duke thënë për një viktimë të mundshme në një regjistrim të FBI-së.
Ekspertët e mafias thonë se përfshirja personale e veteranëve të moshuar si Ricciardo dhe Andrew Russo në punën e përditshme të mafies nxjerr zbuluar mungesën e besimit të tyre në brezin e ri.
Dhe me një arsye të mirë: këshilltari i fundit që do të përballet me arrestimin, 66-vjeçari i familjes Colombo, Ralph DiMatteo, u detyrua të dorëzohej pasi djali i tij postoi në Twitter një fotografi të tij duke pushuar në një pishinë në Florida.
“Sa budalla je? Ti e di që babai jot është në arrati dhe po poston fotografi në internet. Babai i tij duhet t’i thyejë këmbët, “shton Russo, i cili u burgos për 35 muaj.
Ekspertë amerikanë të Mafias thonë se nga operacioni i fundit, ku ishin të përfshirë kokat e grupit, për të bërë punë operative, si kërcënimi i sindikalistëve, kuptohet që brezi i vjetër nuk ka besim tek i riu. Profesori James B. Jacobs, i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Nju-Jorkut, thotë se integrimi i lagjeve italo-amerikane në Nju-Jork dhe rritja e klasës punëtore, ua ka bërë më të vështirë mafiozëve të gjejnë rekrutë.
“Kur Mafia ishte Mafia kishte pasoja të rëndë nëse nuk e mbaje gojën. Tani mund të flasësh ose të bësh çfarë të duash dhe asgjë nuk ndodh”, tha ai. “Tani duan të ngrenë imazhin e gangsterëve, por pa bërë asnjë vrasje. Nuk ka më dhunë dhe prandaj nuk arrijnë rezultate. Disa nga këta tipa nuk janë larguar, nuk flasin asnjë fjalë italisht, nuk janë larguar kurrë as nga lagjja. E si mund ta kuptojnë origjinën e Mafias? Është e pamundur që të kuptojnë sa i dhunshëm ka qenë brezi ynë”.
/Burimi: DailyMail/ Përshtati: Priza.al/