Fundjava shënohet nga një aksident i rëndë në aksin Kukës-Tiranë. Burimet policore bëjnë të ditur se në mëngjesin e së shtunës një automjet ka rënë në humnerë, e cila mendohet se ishte 100 metra lartësi. Si pasojë i lënduar rëndë ka mbetur drejtuesi me inicialet R.P., nga Shtana e Kukësit, i cili ka marrë dëmtime të shumta. Mësohet se aksidenti ka ndodhur në afërsi të minierës së Kalimashit, në rrugën e vjetër Kukës-Tiranë, rreth orës 08.00 të mëngjesit.
Burri udhëtonte i vetëm ndërsa nxjerrjen e tij nga makina e bëri të mundur policia dhe shërbimet zjarrfikëse.
Sipas policisë, mësohet se shkak për humbjen e kontrollit të mjetit mund të jetë bërë lodhja ose ndonjë problem shëndetësor i 58-vjeçarit. Pas ndihmës së parë në Kukës ai është transportuar në Tiranë për trajtim të specializuar. Gjendja e tij është e rëndë, por gjendet jashtë rrezikut për jetën.