Makina e mbushur me sirianë, policia arreston dy 53-vjeçarë në Fier

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi u kapën duke transportuar pesë emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian.

53-vjeçarët u kapën me 5 shtetas sirianë brenda automjetit tip ‘Benz’ në vendin e quajtur “Rotondo e Kolonjës”, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt BE kundrejt pagesës.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga Sektori i Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, pas informacioneve të marra në rrugë policore se një automjet furgon tip “Benz” po transportonte klandestinë drejt Tiranës, finalizuan operacionin policor të koduar “Taksisti”, në përfundim të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit B. K., 53 vjeç, banues në Durrës dhe R. J., 53 vjeç, banues në Durrës.

Këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë Rrugore, në vendin e quajtur “Rotondo e Kolonjës”, duke transportuar me automjetin tip “Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm (sirianë), të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *