Makina inteligjente ‘bën kërdinë’ rrugëve të Tiranës, gjobit 287 drejtues mjetesh

Makina inteligjente duket se ‘e ka marrë seriozisht’ punën e saj duke zëvendësuar kështu efektivët e policisë dhe postblloqet. Gjatë kontrolleve në rrugët e kryeqytetit, në Kamzë dhe në rrugën interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë janë ndëshkuar disa drejtues mjetesh.

Makina inteligjente ka konstatuar 287 shkelje për shpejtësi, ku 43 raste ishin me shpejtësi nga 80 km/h deri në 98 km/h në Kamzë, ndërsa në rrugën Tiranë-Durrës, shpejtësi deri në 169 km/h.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, një numër i madh i drejtuesve të mjeteve kishin bërë dhe një shkelje të dytë, si gjatë ditës, konkretisht 108 ishin edhe për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, ndërsa 61 edhe për mosvendosje të rripit të sigurimit.

‘Ndërkohë, si rezultat i kontrolleve intensive në të gjitha rrugët e vendit, duke përdorur radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë vendosur 1059 masa administrative për shkelje që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Nga monitorimi me radarë dhe alkooltestues janë pezulluar edhe 31 leje drejtimi, për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional.’

 

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *