Në Mal të Zi, prokurori Sasha Çagjenoviq është arrestuar të premten me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit, ndërsa akuzohet “për krijimin e organizatës kriminale dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë, Vukash Radonjiq zoti Çagjenoviq është arrestuar për shkak të “dyshimit se në periudhën nga mesi i vitit 2020 deri në vitin 2022 ka kryer veprën penale të krijimit të organizatës kriminale dhe disa vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
“Prokuroria Speciale e Shtetit do ta informojë publikun me kohë për veprimet e saj të mëtutjeshme dhe gjendjen e procedurës dhe posaçërisht theksoj se autoritetet shtetërore, mediat, shoqatat e qytetarëve, fytyrat publike dhe personat e tjerë janë të obliguar t’i përmbahen prezumimit të pafajësia dhe në rrjedhën e procedurës nuk duhet të cenojnë rregullat tjera të procedurës dhe të drejtat e personave kundër të cilëve po zhvillohet procedura”, ka thënë Radonjiq.
Prokurori Çagjenoviq është i njohur në opinion si përfaqësuesi i padisë në procesin gjyqësor të quajtur përpjekje për “grusht shteti”, e cila është zhvilluar nga viti 2017 deri në vitin 2019 në Gjykatën e Lartë të Podgoricës kundër një grupi prej trembëdhjetë të pandehurish, mes të cilëve ishin liderët e Frontit Demokratik pro-rus, si dhe dy shtetas, punonjës të sigurimit rusë.
Në vitin 2019, Gjykata e Lartë i dënoi të pandehurit në çështjen e përpjekjes për “grusht shteti” me gjithsej 70 vjet burg, por Gjykata e Apelit e rrëzoj vendimin dhe gjykimi u kthye në fillim.
Rigjykimi për këtë rast disa herë është shtyrë për shkak të kërkesës për shkarkimin e prokurorit Sasha Çagjenoviq, ndërkohë që gjykimi i radhës është caktuar në janar të vitit që vjen./VOA