Nik Gjeloshaj është drejt rikonfirmimit në detyrë si kryetar i komunës në Tuz të Malit të Zi. Koalicioni i shqiptarëve i udhëhequr nga Alternativa Shqiptare duket se ka marrë shumicën e votave.
Gjeloshaj ka shpallur fitoren dhe ka deklaruar se koalicioni shqiptar ka marrë 18 mandate.
“Faleminderit të gjithë votuesve që sot kanë dalë në mënyrë demokratike, kanë shprehur vullnetin e tyre dhe kanë treguar se malësia do bashkim, do zhvillim. Shqiptarët vazhdojnë të qeverisin. Kemi qeverisur mirë, kjo është nota më e mirë që na kanë dhënë qytetarët e malësisë, falenderojmë të gjithë ata që na kanë përkrahur, falenderojmë diasporën, falenderojmë gjithë shqiptarët kudo që janë për mbështetjen që na kanë dhënë, edhe kësaj here i kemi bashkuar shqiptarët kudo që janë. Fitorja absolute është përgjegjësi më e madhe për ne për t’u munduar edhe më shumë 4 vitet e ardhshme”, tha Nik Gjeloshaj për mediat shqiptare.
Pas kësaj fitoreje që konsiderohet absolute, shqiptarët në Tuz kanë dalë nëpër rrugët e qytetit duke festuar me flamuj kuq e zi.
Këto janë zgjedhjet e dyta që mbahen në Tuz, që pas krijimit si komunë më vete, duke u shkëputur si pjesë administrative e kryeqytetit të Podgoricës.