Maldinit i ‘hapet oreksi’: Ne jemi Milani, të mos kënaqemi me fitimin e një titulli

Duke folur për mikrofonat e ‘Milan TV’, Paolo Maldini ka bërë disa deklarata.

Për ekipin – “Milani po ecën mjaft mirë, është një fazë përgatitore. Synimi ynë është që më 4 janar të jemi gati për të luajtur shumë ndeshje të ngjeshura. Praktikisht do të përsërisim pjesën e parë të sezonit, që u ndërpre për Botërorin”.

Për kampin stërvitor në Dubai – “Nxehtësia ndihmon, ndihmon edhe rikuperimin e disa të lënduarve. Këtu gjetëm kushtet ideale për të bërë stërvitje të dyfishta (dy seanca në ditë), të cilat nuk i kryejmë shpesh në Milanello. Sidoqoftë, mendoj se kampi stërvitor është i përbërë nga puna, sakrifica dhe bashkimi. Pas disa ditësh ndarje u mblodhëm dhe biseduam për objektivat tanë”.

Maldini për objektivat – “Kemi pasur disa lëndime, shpresojmë t’i rikuperojmë të gjithë, ose pothuajse. Ne mund dhe duhet të jemi protagonistë në katër garat që kemi përpara. Ne e dimë që Liga e Kampionëve është qëllimi më i rëndësishëm, por edhe më i vështiri për t’u arritur. Është e vërtetë që do të luajmë në shkurt, por ndeshja kundër Tottenhamit do të thotë shumë për ecurinë tonë në Champions League”.

Për lojtarët e përfshirë në Botëror – “Nuk i kam dëgjuar, kam folur vetëm me Leao. Të tjerët nuk i kam dëgjuar, sepse nuk i di programet e kombëtareve të tyre, si janë rregullat atje. T’i lëmë ta shijojnë këtë moment të pabesueshëm. Pjesëmarrja në një Botëror është ngjarje e jashtëzakonshme për një futbollist profesionist. Pas kësaj do të shihemi këtu, kur të vijë koha për t’u takuar përsëri”.

Për Leao, Theo dhe Giroud – “Rafa bëri pjesën e tij gjithsesi, dy gola në një Botëror nuk janë gjë e vogël. Fatkeqësisht, ai luajti shumë pak, por mendoj se ishte një përvojë e bukur dhe e nivelit të lartë për të. Theo dhe Olivier ishin protagonistë që në fillim, e treguan veten. Jemi krenarë që i shohim duke luajtur në finale”.

Maldini për Theo Hernandez – “Njerëzve shpesh iu jepet merita, por në fund merita e madhe shkon për të. Ai pati një fillim verbues të karrierës së tij, më pas humbi pak. Më pas vendosi të vinte te Milani, duke hequr dorë nga shumë gjëra. Ai u rikthye në lojë, ka rizbuluar momentin që duhet të ketë një lojtar me karakteristikat e tij. Ai është një lojtar që, për mendimin tim, mund dhe duhet të përmirësohet ende shumë. Theo është unik në mënyrën e tij”.

Për titullin – “Nga këndvështrimi im, fitimi i titullit mbylli një periudhë 3-vjeçare që filloi më 2019. Një projekt shumë specifik që nuk parashikonte fitimin e titullit, por rikthimin në të qenit konkurrues. Sigurisht që po flasim për Milanin, kështu që nuk mund të jemi të kënaqur me fitimin e një titulli. Duhet të jemi pak më ambiciozë”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *