Partia pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi, Fronti Demokratik ka iniciuar tërheqjen e njohjes së Kosovës. Deklarata për anulimin e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk do të ketë efekt juridik dhe as nuk mund të jetë akt ligjërisht i detyrueshëm.
Fronti Demokratik i cili ka pushtet absolut në Zetë, komuna më e re në Mal të Zi, ka marrë vendim për miratimin e Deklaratës me të cilën njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë në atë territor.
Komuna e Zetës, e cila ndodhet në rrethinën më pak të banuar të kryeqytetit Podgoricë, do ta shprehë opinionin e saj për këtë dokument në seancën që do të mbahet në fund të muajit maj.
Pavarësia e Kosovës u njoh nga Qeveria e Malit të Zi në vitin 2008, kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviqit, e cila në gusht 2020 humbi zgjedhjet përballë Frontit Demokratik pro-serb dhe prorus, demokratëve dhe lëvizjes URA.
Së fundmi Gjukanoviç ka pësuar disfatë edhe në zgjedhjet presidenciale dhe zyrtarisht më 24 maj duhet t’ia dorëzojë atë post presidentit të sapozgjedhur Jakov Milatoviq, i cili deklaroi se nuk do të ketë tërheqje të njohjeve të Kosovës.