Një 54-vjeçar është arrestuar në Mallakastër, pasi kultivonte kanavis në banesë.
Shtetasi me iniciale F. Ç., akuzohet për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Njoftimi i policisë:
Mallakastër/Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Gradishti”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Mallakastër, në bashkëpunin me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier.
Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe një rast i prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Kishte kultivuar bimë narkotike në oborrin e banesës së tij, vihet në pranga 54-vjeçari.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën edhe 3.5 kg lëndë narkotike, në proces tharjeje. Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike në proces tharjeje, asgjësohen me anë të djegies bimët e dyshuara narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gradishti”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-F. Ç., 54 vjeç, banues në Hekal, Mallakastër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Në oborrin e banesës së 54-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesë u gjetën edhe 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.