Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë ka bërë me dije se numri total i mjekëve dhe të infermierëve në spitalit Memorial të Fierit ka shkuar 127. Kjo pasi ekipit i janë bashkuar 14 bluza të bardha turq si dhe 20 infermierë shqiptarë. Manastriliu theksoi ndër të tjera, se stafi i mjekëve dhe infermierëve janë në shërbim të qytetarëve, kryesisht të rajonit të Jugut të Shqipërisë.
Kujtojmë se Spitali Memorial i Fierit është ndërtuar dhe financuar nga qeveria turke dhe ka hapur dyert rreth dy javë më parë me një staf të përbashkët shqiptaro-turk. Shërbimet do të jenë sipas sistemit të referimit, ashtu sikurse janë në të gjithë spitalet publike, duke ulur edhe kohën e pritjes për ekzaminimet. Sipas marrëveshjes, pala turke ka financuar 70 milonë euro në mënyrë që të forcojë sistemin shëndetësor shqiptar dhe të mbështesë infrastrukturën e kujdesit shëndetësor. Në këtë kontekst, Turqia do të caktojë personelin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri gjatë fazës së tranzicionit të spitalit rajonal të Fierit dhe do të ofrojë këshillim përmes Ministrisë së Shëndetësisë.
Njoftimi i plotë:
Edhe 14 mjekë dhe infermierë turq dhe 20 infermierë shqiptarë sapo i janë bashkuar super ekipit të Spitalit Memorial të Fierit
127 mjekë dhe infermierë të skuadrës së përbashkët shqiptaro-turke tashmë janë në shërbim të qytetarëve të rajonit të #jugut të vendit, në një spital ultra modern, me shërbim të standardeve bashkëkohore.