Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se brenda muajit prill do të vijnë edhe 20 mijë doza të vaksinës Pfizer, ku 7 mijë prej tyre do të vijnë javën e parë. Një deklaratë të tillë ministrja e bëri nga sheshi “Skëndërbej”, aty ku vijon procesi i vaksinimit të të moshuarve +75 vjeç.
“Presim nga kontrata me kompaninë Pfizer të kemi sërish përgjatë muajit prill rreth 20 mijë doza. Brenda javës së parë presim 7 mijë dozat e para, e më tej deri në datë 19 prill 20 mijë doza. Ndërkohë që presim që të lëvrohen edhe sipas kalendarit të lëvrimit dhe pjesa tjetër e dozave Sinovac”, bëri me dije Manastirliu.
Nisur nga fakti që synohet që të vaksinohen 30 mijë persona, Manastirliu tha se janë përgatitur për të rritur numrin kapaciteteve të burimeve njerëzore.
“Të gjithë ekipet tona të vaksinatorëve po bëjnë një punë shumë të mirë. Fakti që për tre ditë radhazi kemi kryer mbi 50 mijë vaksinime tregon që kapacitetet tona janë të mjaftueshme. Por sigurisht jemi përgatitur që të rrisim numrin e vaksinimeve nëpërmjet kapaciteteve tona të burimeve njerëzore, të cilat tashmë i kemi trajnuar dhe i kemi futur edhe në forcë”, tha Manastirliu.
Ajo ka bërë me dije se procesi i vaksinimit do të vijojë në qendrat e përqendruara, por edhe qendrat shëndetësore kudo në vend do të vijojnë këtë proces kaq të rëndësishëm dhe jetik për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 119,321 vaksinime.