Komiteti i Ekspertëve, pasi kanë rishqyruar situatën me pandeminë në vend, kanë marrë dy vendime që ka të bëjë me karantinimin dhe fakultetet. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi se situata është e kontrolluar.
Ekspertët e shëndetit, duke parë situatën në përmirësim, sa i takon edhe uljes së numrit të infektimeve dhe numrit të vogël të shtrimeve në spitale, kanë vendosur për të hequr karantinën 14 ditore me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.
Po kështu do të hapen auditoret e universiteteve për konsultime dhe sezon provimesh. Sakaq, do të vijojnë të jenë në fuqi të njëjtat masa duke iu referuar orës policore 22:00 me 06:00, ndalimi i grumbullimeve dhe vendosja e maskës.
“Kemi rënie shifrash dhe fataliteti. Kemi incidencë të ulët dhe të kontrolluar. Kemi një rënie të pozitivitetit total dhe numri i pacientëve të shtruar është ulur. Indikatorë si këta na sjellin në vëmendje situatën e një viti më parë. Masat kanë pasur ndikim të padiskutueshëm. Kemi vijuar edhe me vaksinimin. 100 mijë qytetarë kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës.
Mbetemi në një pozicion të lartë. Në çdo hap, jemi treguar shumë të kujdesshëm qoftë masave dhe hapave të lirimit të masave. Do të vijojmë të jemi të kujdesshëm. Nisur nga situata, Komiteti ka patur një mbledhje dhe ka rivlerësuar masat e marra duke hequr masën e karantinës 14 ditore me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hapen universitetet, vetëm për konsultime dhe sezonin e provimeve. Mbetet në fuqi ora policore 22:00-06:00 dhe ajo për grumbullimet”, tha ministrja Manastirliu.