Pas përfundimit të fazës së 1/8-ve, të Kupës së Anglisë, “FA Cup”, ditën e sotme janë paraqitur dhe 4 çiftet çerek-finaliste, ku shorti i ka buzëqeshur jo pak skuadrave të Manchester, me “qyetarët” e City që do të përballjen me Burnley-n dhe “djajtë e kuq” të United që do të presin në “Old Trafford”, Fulham-in.
Mbi shortin foli dhe tekniku i Manchester City, Pep Guardiola, ku u shpreh shumë i lumtur për suksesin e ish-kapitenit të “qytetarëve”, Vincent Kompany, i cili tashmë është tekniku i Burnley, teksa ka arritur jo pak këtë sezon dhe ndodhet në vendin e parë në Championship, shumë pranë ngjitjes në “elitën” e futbollit anglez.
“Personalisht, jam shumë i lumtur me sukseset e tij në Burnley. Herët a vonë ai do të kthehet në Manchester. Fati i tij si trajner i Cityt tashmë është shkruar në yje. Do të ndodhë. Nuk e di kur, por do të ndodhë. Është thjesht ndjenja ime. Ndoshta e kam gabim”, është shprehur në fjalën e tij, tekniku Guardiola.
Ndërkaq, të gjitha sfidat çerek-finale të “FA Cup” do të zhvillohen më 18 mars, ku më konkretisht, Manchester City do të përballet me Burnley-n, Manchester United me Fulham-in, Brighton do të presën në “shtëpi”, “diletantët” e Grimsby, ndërsa Sheffield United do të përballet me Blackburn-in.