Italia pati një ndeshje plot vuajtje ndaj Austrisë, ku dy golat erdhën në kohën shtesë. Ky sukses u vulos nga lojtarët e stolit, Chiesa dhe Pessina të futur përkatësisht në 84’ dhe 66’.
Trajneri Mancini shpesh e ka deklaruar që i ka të gjithë titullarë dhe në fakt Italia duket se ka dy formacione, pasi nuk ka diferenca me atyre që e nisin nga fillimi dhe atyre që qëndrojnë në pankinë. Mediat italiane dhe jo vetëm i mëshonin pikërisht këtij fakti, duke e titulluar stoli i artë i Mancinit.
Nuk ka rëndësi nëse kundër Austrisë, Mancini zgjati disa minuta zëvendësimet, ata që u futën bënë detyrën shumë mirë. Përveç këtij fakti, tek Italia është një grup shumë i mirë, ka harmoni, miqësi dhe asnjë hatërmbetje, duke filluar nga veteranët, deri tek më të rinjtë.
Të gjithë ushtarë, nga Chiellini e Bonucci, deri te Immobile e Insigne. Kjo Itali po krahasohet me atë të vitit 2006 që ngriti Kupën e Botës. Gjithsesi, muzika do të ndryshojë në çerekfinale, Italia do të presë një mes Belgjikës dhe Portugalisë.
Aty do të shihet forca reale e axurrëve. Deri tani kanë dominuar, por përballë Lukakut me shokë apo Portugalisë së Cristiano Ronaldos do të jetë tjetër histori.