Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vijojnë të depozitohen ankimime, jo vetëm për rezultatin për kryetarët, por edhe për këshillat bashkiakë, ndërsa Kreu i KQZ certifikon rezultatin për zgjedhjet e 14 majit për çdo bashki.
Vetëm këtë të hënë në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, janë depozituar 5 kërkesa ankimore, për rezultatin e këshillave Bashkiakë, në Memaliaj, Gjirokastër, Pukë e Tropojë.
2 kërkesa ankimore kanë shkuar vetëm për bashkinë Memaliaj. Fryma e Re Demorkatike dhe LZHK kanë kërkuar shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve dhe rinumërimin e kutive për këshillat bashkiakë, me pretendimin e tjetërsimit të votës dhe shpërndarjes së tyre në subjekte të tjera politike, duke ndikuar në ndarjen e mandateve për këshilltarët.
Lëvizja për zhvillim Kombëtar, ka ngritur pretendimet e saj edhe për bashkinë e Pukës, duke kërkuar rinumërim të kutive dhe ndryshimin e tabelës përmbledhëse.
Në kërkesën ankimore për Pukën, shkruhet se më shumë 35 vota të destinuara për LZHK janë përllogaritur si vota të Partisë Demokratike.