Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka marrë pjesë në Asamblenë Kombëtare të Noterisë.
Manja u ka kërkuar noterëve që mos të bëhen palë me institucionet financiare, ku dhe ‘kërcoi’ se do të denoncojë çdo rast abuzimi. Sakaq shtoi se në fushën noteriale do të nisë një erë e re në zbatim të ligjit dhe në shërbimin dinjitoz ndaj qytetarëve.
“Kisha shumë për të folur me noterët e Shqipërisë dhe zgjodha Asamblenë Kombëtare të Noterisë për t’i thënë problemet tona sy më sy. Si ministër, monitorues i drejtpërdrejtë i punës së tyre, them me bindje se në fushën noteriale nis një erë e re në zbatim të ligjit dhe në shërbimin dinjitoz ndaj qytetarëve. Kam falënderuar sot bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me kryetaren e Dhomës Kombëtare të Noterisë znj. Mimoza Sadushi, por kam kërkuar me forcë: Nisjen e dixhitalizimit të arkivave, zbatimin e udhëzimeve që kanë dalë nga MD si dhe korrektësinë para ligjit si në formë edhe në përmbajtje
Kërkova me këmbëngulje që noterët të mos bëhen palë me institucionet financiare jo banka (mikrokredive), dhe të lexojnë siç parashikon ligji, detyrimet e kontratave për qytetarët, sepse në shumë raste shqiptarët po mbeten peng. Noteria është një profesion të cilin unë e kam mbështetur përherë, ndaj kërkova bashkëpunimin e noterëve të ndershëm për të nxjerrë jashtë sistemit elementët që e bëjnë pis këtë shërbim. Në shërbim të këtij qëllimi kemi ngritur dhe kanë nisur inspektimet tematike dhe në çdo heqje licence unë do të bëj dalje publike duke renditur abuzimet e kujtdo qoftë”, tha ai.