Maqedoni e Veriut/ Opozita VMRO-DPMNE triumfon në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Zoran Zaev jep dorëheqjen

Opozita VMRO-DPMNE triumfon në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, duke fituar shumicën e komunave.

Menjëherë pas rezultateve të para përfaqësues të kësaj partie dhe qytetarë të shumtë festuan pranë selisë në Shkup, ku krahas flamurit maqedonas, u valëvit për herë të parë edhe flamuri shqiptar.

Kreu i opozitës Hristjan Mickoski shpalli fitoren, duke thënë se pa mbështetjen e opozitës shqiptare, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptaret, por edhe e majta, kjo fitore nuk do të ishte e mundur. Ai tha se hodhën të gjitha barrierat dhe se në Maqedoni është e mundur një bllok tjetër qeverisës.

Ndërsa rezultat zhgënjyes mori LSD e Zoran Zaev, i cili humbi edhe Shkupin. Menjëherë pas publikimit të rezultateve që çimentuan humbjen në komunat kryesore përfshirë edhe kryeqytetin, Zaev dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit dhe drejtimi i Partisë. Ai artikuloi:

‘Përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së’, tha Zaev.

Ai pohoi nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi shumica është solide, por Zaev do të qëndrojë në detyrë deri për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive.

BDI e Ali Ahmetit numëron rreth 7 komuna të fituara, por ky nuk ishte një rezultat i mirë për ta pas humbjes edhe të Tetovës. Në Gostivar ku beteja ishte mes partive shqiptare, Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët ka marrë mandatin e dytë.

 

 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *