Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti izraelit, Isaac Herzog diskutuan marrëdhëniet e tensionuara midis vendeve të tyre dhe situatën e Agjencisë Hebraike në Rusi në një bisedë telefonike më 9 gusht. Ministria ruse e Drejtësisë ka bërë hapa për ta shpërbërë krahun rus të agjencisë, e cila promovon emigracionin në Izrael, pavarësisht protestave nga Izraeli.
Rusia e akuzon organizatën për shkelje të ligjeve të vendit, dhe sipas raportimeve të mediave, mbledhje të paligjshme të të dhënave personale nga qytetarët rusë.
Disa izraelitë e kanë parë këtë si ndëshkim për kritikat e Izraelit ndaj fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Çështja kundër agjencisë do të shqyrtohet më 19 gusht.
Diskutimi ishte “i hapur dhe i sinqertë”, tha zyra e Herzogut. Ai ishte kryetar i Agjencisë Hebraike përpara se të merrte postin e presidentit.
“Të dy presidentët theksuan fushat e rëndësishme të bashkëpunimit midis Izraelit dhe Rusisë dhe ranë dakord të mbajnë kontakte” njoftoi zyra e Herzogut.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, gjë që ka shtyrë Perëndimin të vendosë sanksione të ashpra kundër Moskës zyrtare./ REL