MAS korrigjon gabimet në tekstet shkollore, ja lëndët e rishikuara

Rishikohen tekstet mësimore me të cilat do të punojnë nxënësit e arsimit parauniversitar përgjatë vitit të ri shkollor 2022-2023. Kundrejt shqetësimeve të shumta të evidentuara në lidhje me gabimet dhe pasaktësitë në tekstet mësimore, autoritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme përfundimin e procesit të rishikimit të përmbajtjes së pjesës dërrmuese të lëndëve me të cilat do të punojnë nxënësit nga klasa e parë e deri tek e nënta.

Sipas ekspertëve të arsimit ndryshimet e bëra në tekste i kanë dhënë zgjidhje shumë pasaktësive, si dhe pasqyrimeve jo të përshtatshme të jetës reale që ishin në përmbajtje të teksteve shkollore të përdorura nga nxënësit e arsimit parauniversitar deri në përfundim të këtij viti shkollor. Në vijim të shkrimit do të gjeni të ilustruara disa foto, me përmirësimet e bëra në përmbajtjen e teksteve të Matematikës, Diturisë së Natyrës, Biologjisë, Kimisë, si dhe Gjuhës shqipe.

Lidhur me këtë proces, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi teksa publikoi disa foto krahasuese të teksteve të rishikuara, tha se vlerësimi i tyre ka kaluar përmes një procesi të thelluar dhe të gjatë përmirësimi. “Pas shqetësimeve të ngritura vitin e kaluar në lidhje me disa pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet shkollore, Ministria e Arsimit dhe Sportit ngriti një komision për rishikimin e të gjitha teksteve në arsimin parauniversitar. Ky komision përbëhej nga disa grupe pune me drejtues të rrjeteve profesionale të mësuesve, mësues dhe specialistë të kurrikulës. Tashmë të gjitha këto botime të reja më cilësore janë gati dhe vitin e ardhshëm shkollor do të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme ministrja Kushi. Rishikimi i teksteve është bërë falë angazhimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar dhe rrjeteve profesionale të mësuesve.

Shtëpitë botuese kanë nisur punën tashmë për përgatitjen dhe shumfishimin e teksteve mësimore të rishikuara, të cilat në fund të muajit gusht do të nisin të shpërndahen tek nxënësit. Edhe për vitin e ri mësimor, tekstet shkollore do të shpërndahen dhe shiten në mjediset shkollore. Drejtoritë e institucioneve arsimore ofrojnë një ose dy mjedise shkollore, që përdoren nga të gjitha shtëpitë botuese, që lëvrojnë tekste në institucionin arsimor në fjalë. Çmimi i shitjes është ai i vendosur në kopertinën e tekstit shkollor të certifikuar. Çmimet e teksteve shkollore, të miratuara nga ministria përgjegjëse për arsimin, indeksohen çdo vit, në përputhje me rritjen e inflacionit, të publikuar nga INSTAT-i. Tekstet duhet të jenë të pajisura me pullën me hologramë të certifikimit, të ministrisë përgjegjëse për arsimin. Tekstet, që tregtohen pa këtë pullë, i nënshtrohen procesit të konfiskimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi

Struktura e vitit të ri shkollor

Në udhëzimin e miratuar pak më herët nga dikasteri i Arsimit, përcaktohet se viti i ri shkollor 2022-2023 do të nisë në datën 12 shtator të këtij viti dhe do të përfundojë në datën 14 qershor të vitit që vjen. Lidhur me strukturën se si do të zhvillohet procesi mësimor, autoritetet e arsimit kanë përfshirë edhe një tjetër risi, që ka të bëjë me shtimin e periudhës së pushimeve që do të bëjnë nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar. Sipas vendimit të marrë nga MAS, krahas pushimeve të festave të fundvitit, nxënësit do të kenë edhe një periudhë të dytë pushimesh që do të zhvillohet gjatë muajit prill, përkatësisht në datat 3-9 prill 2023. Në këto ditë nxënësit do të pushojnë, por edhe luajnë dhe argëtohen për të marrë energji të reja për periudhën e fundit të vitit të shkollor. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë strukturën e detajuar të vitit të ri mësimor për secilin cikël.

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit parauniversitar, arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare. Arsimi bazë i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor, (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX).Arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar.

Ndërsa ndjekja e arsimit të mesëm, nuk është i detyrueshëm. Ky cikël përbëhet nga gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar) si dhe nga shkollat e mesme profesionale. Gjimnazet publike japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim i njohurive e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Kohëzgjatja e gjimnazit është 3 vjet dhe përfundon me provimet e Maturës Shtetërore. Referuar strukturës së përcaktuar për arsimin e mesëm, në planin mësimor janë përfshirë nëntë fusha si: Artet, Edukimi fizik dhe sportet, Gjuha e huaj (ose gjuhët e huaj), Gjuha shqipe dhe letërsia, Karriera dhe aftësimi për jetën, Matematika, Teknologjia & TIK, Shkencat natyrore dhe Shkencat shoqërore. Kurrikula e gjimnazit është e përbërë nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje. Gjimnazet me kohë të shkurtuar, shërbejnë edhe për arsimimin e të rriturve. Kohëzgjatja e studimeve në gjimnazet me kohë të shkurtuar, është 4 vjet dhe ato përfundojnë me dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore. Plani mësimor dhe programet kurrikulare, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë.

URDHRI I MAS\STRUKTURA E VITIT SHKOLLOR 2022–2023 PËR ARSIMIN BAZË DHE TË MESËM:

Në arsimin bazë:

Mësimet fillojnë më 12 shtator 2022 dhe mbarojnë më 14 qershor 2023.
Pushimet e para fillojnë më 26 dhjetor 2022 dhe mbarojnë më 4 janar 2023.
Periudha e dytë e pushimeve fillon me 3 prill dhe përfundon në 9 prill 2023.
Provimet kombëtare të arsimit bazë zhvillohen në periudhën 15-30 qershor 2023.
Në arsimin e mesëm të lartë:

Mësimet fillojnë më 12 shtator 2022 dhe mbarojnë më 14 qershor 2023.
Për maturat, mësimet fillojnë më 12 shtator 2022 dhe mbarojnë më 31 maj 2023.
Pushimet fillojnë më 26 dhjetor 2022 dhe mbarojnë më 4 janar 2023.
Provimet e maturës shtetërore zhvillohen në periudhën 1-30 qershor 2023.
Në arsimin profesional:

Mësimet fillojnë më 12 shtator 2022.
Nxënësit e klasave të 10-ta, për të gjitha strukturat, nxënësit e klasave të 12-ta për strukturën 2+2, si dhe nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta për strukturën 4-vjeçare, përfundojnë mësimet më 14 qershor 2023.
Nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta, për strukturën 2+1+1, dhe nxënësit e klasave të 11-ta, për strukturën 2+2, përfundojnë mësimet më datën 31 maj 2023.
Për të gjithë nxënësit maturantë, viti shkollor përfundon më 19 maj 2023.
Pushimet fillojnë më 26 dhjetor 2022 dhe mbarojnë më 4 janar 2023.
Provimet përfundimtare për kualifikimet profesionale të niveleve II dhe III të KSHK-së zhvillohen në periudhën 25-31 maj 2023.
Provimet përfundimtare të praktikës profesionale të kualifikimeve profesionale të nivelit IV të KSHK-së zhvillohen në periudhën 1-30 qershor 2023./gazetadita

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *