Në seancën e sotme në procesin ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”, u paraqit si i thirrur nga SPAK Mihal Delijorgji, ish-administrator i kompanisë “Alba Demil”. Ai refuzoi të dëshmojë në gjyq duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji. Më pas avokatët dhe prokuroria kërkuan që të administrohen në dosjen gjyqësore dëshmitë e dhëna më herët prej tij si person nën hetim dhe i pandehur. Edhe në këtë seancë, nuk u paraqit Anjola Agolli, ish sekretare e ministrisë së Drejtësisë, Denis Hajdar dhe Luan Hoxha.
Për Denis Hajdarin prokuroria kërkoi shoqërimin e detyrueshëm pasi ka marrë dijeni dhe nuk është paraqitur. Ndërsa për Anjolla Agollin e Luan Hoxhën të vijojë kërkimi. Në seancë Fatmir Mediu i kërkoi Gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë për mënyrën e marrjes së dëshmive të shtetasve amerikan, me videokonferencë, ndërsa gjykata tha se deri më tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letërporosi.
‘Besoj në gjithë këtë proces mos përgjigja tregon qartë se prokuroria i ka sjellë si dëshmitarët formal pa marrë atë produkt që duhet të kishte procesi për të vërtetën.’- tha Mediu, pas përfundimit të seancës.
Seanca e radhës u caktua me 9 prill në orën 9.