Masakra ndaj nxënësve në Deçan, Policia: Sulmi nga një autor, nuk mendohet të jetë akt terrorist

Tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të një autobusi shkolle në afërsi të fshatit Gllogjan, të Komunës së Deçanit, kanë konfirmuar autoritetet e rendit në Kosovë. Të shtënat kanë ndodhur të premten, në orët e mbrëmjes.

Zv.komandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se: “policia, tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist”.

Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se: “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.

Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti, ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se, një person i plagosur në incident, ndodhet në këtë spital dhe se gjendja e tij është të stabilizuar.

Në vend të ngjarjes, përveç policisë, ka dalë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës. Kryeprokurori Blerim Isufaj, ka thënë para mediave se, hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

Ai ka thënë se, në mesin e tre të vrarëve janë dy nxënës shkolle dhe shoferi i autobusit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.

Autobusi ka qenë duke qarkulluar në aksin Gjakovë-Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat. Nuk është ende e qartë nëse autobusi ka qenë shkaku kryesor ose bjektivi i të shtënave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka ndërprerë vizitën në Shqipëri për shkak të ngjarjes dhe se ka kërkuar nga Policia e Kosovës “angazhim dhe mobilizim maksimal”, në mënyrë që autori i këtij “akti makabër” të arrestohet sa më parë.

Ngjarjen e kanë dënuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *