Kryedemokrati Basha, i ftuar në emisionin “Open” në Top Channel, e ka hedhur poshtë tezën se vrasja e Pjerin Xhuvanit ishte për motive politike. Ai ka zbuluar çfarë dëshmoi Arbër Paplekaj në polici, pasi u vetëdorëzua për vrasjen e ndodhur në Elbasan. Sa i takon viktimës, Basha nënvizoi se nuk do ishte i vdekur nëse policia dhe prokuroria do kishin bërë punën e tyre.
Nga ana tjetër, Basha u shpreh i bindur se PD nuk ka asnjë përgjegjësi politike për ngjarjen e Elbasanit. Dje, Pjerin Xhuvani u qëllua për vdekje me armë zjarri nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i numrit 2 të PD-së, Gazment Bardhi. Pas ngjarjes, Paplekaj është larguar duke u vetëdorëzuar më pas në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë, dhe ka pranuar krimin. Në dëshminë e tij, Paplekaj tha se qëlloi për vetëmbrojtje, pasi u qëllua më parë sipas tij, nga persona që po blinin vota.
Pse doni të mbroni votën me armë dhe vrasje?
Basha: Nuk kishte armë. Ku e dini ju në çfarë rrethanash ka ndodhur vrasja? I keni të plota detajet e hetimit? Nuk i keni as ju, as unë.
Ka dalë se Arbër Paplekaj ka dalë dhe ka thënë kam qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes.
Basha: Je i pasaktë. Në deklaratën e parë, policia u tha që u arrestua, jo vetëdorëzua. Gënjeshtër. Të shohim çfarë ka ndodhur, presion i jashtëzakonshëm politik mbi policinë, mbi prokurorinë që të mos hetojë mbi bandat famëkeqe që kanë goditur punonjësit e policisë. Vrasja do të hetohet e do të zbardhet.
Vrasjen nuk e vendosim ne kush e ka bërë, por gjykata. Nuk i jap vetes atributin të jem dhe gjyqtar dhe kryeministër. Nga burimet e partnerëve strategjikë që e njohin oficerin Paplekaj, i RENEA-as, i shquar në Afganistan ku ka trajnuar dhe ka qenë në një prej misioneve dhe po ju them që ai është i vetmi i vetëdorëzuar dhe ka thënë, jam përfshirë, arma ime është me licensë. Pse të mos marrim atë që e solli çështjen këtu. Nëse nuk do kishin bërë punën e vet policia dhe prokuroria, sot viktima nuk do ishte i vdekur. Të presim rezultatet e hetimit.