Hasan Verracakut (Ferracaku) ka dhënë dëshminë e tij për masakrën e djeshme të ndodhur në Velipojë mbas konfliktit me familjen Gocaj për çështjen e shezlongëve, ku si pasojë humbën jetën katër shtetas, mes tyre vëllai i Ferracakut, Kujtimi.
“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezlongët në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli ‘Gocaj’ për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezlongët, në një kohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në bazë të aplikimeve. Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve, dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”, mësohet të ketë thënë 54-vjeçari, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës.
/Priza.al/