Situata e rëndë kriminale në vend duket se ka detyruar kreun e ekzekutivit që të kërkojë një reformim të madh në radhët e uniformave blu, nisur edhe nga dy ngjarjet më të fundit ku në 3 ditë janë vrarë 9 shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama, paralajmëroi një reformë në Policinë e Shtetit, e cila sipas tij do të ndodhë tani, edhe pse ajo ishte parashikuar për në shtator, kohë kur pritet dhe ndryshimi i qeverisë dhe mbledhja e parlamentit të ri.
Nga Vlora, pas mbledhjes së asamblesë së degës së PS, Rama kërkoi mirëkuptimin e gazetarëve për t’u larguar pasi kishte thirrur ministrin e Brendshëm dhe drejtuesit e policisë, për të lançuar një fazë të re të ristrukturimit, siç tha që është e mira të përshpejtohet.
“Do ju kërkoj ndjesë për t’u larguar sepse kam thirrur ministrin e brendshëm dhe disa nga drejtuesit e policisë për të mos humbur kohë, për të lançuar sa më shpejt një fazë të re të ristrukturimit, që është përgatitur por që për arsye të mirëkuptueshme është momenti të përshpejtohet me disa javë dhe të mos presim fundin e verës”,- deklaroi Rama.
Mbledhja në Vlorë që u zhvillua në teatrin “Petro Marko”, mësohet se ka pasur si temë përplasjet e fundit mes kryetarit të Bashkisë Dritan Leli dhe Këshillit Bashkiak.
Ndërkohë pas mbledhjes Rama deklaroi se ishte një takim i detyruar dhe se ka zgjedhur të jetë deputet i Durrësit, por se do të vazhdojë të jetë në Vlorë për të bërë dhe më shumë.
“Ishte një takim i detyruar si rezultat i mbarimit të një beteje të rëndësishme që ne e fituam këtu në qarkun e Vlorës duke arritur objektivin dhe si nevojë për t’iu thënë se unë vërtetë kam zgjedhur të kem deputeti i Durrësit, por unë do të vazhdoj të jem në Vlorë siç kam qenë, pa asnjë lloj ndryshimi, madje për të bërë edhe më shumë sepse me Vlorën nuk më ka lidhur mandati i deputetit dhe nuk më ndan ndarja e mandatit.
Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë intensivisht punën në Vlorë, në gjithë qarkun, si në të gjithë Shqipërinë, por këtu kemi shumë sfida. Sa i përket administrimit të vogël jam realisht i shqetësuar, jo vetëm për Vlorën, por për bashkitë që kanë detyrime ekstra dhe që janë të lidhura me industrinë e turizmit”,- tha Rama.
Konflikti mes Lelit dhe socialistëve të Vlorës është ndezur shumë kohët e fundit, duke sjellë konflikte institucionale.
Madje edhe marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe Dritan Lelit, ka kohë që janë të ngrira, sidomos pas refuzimit që drejtuesi i Bashkisë Vlorë i bëri ftesës për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në listën e PS.
Në mbledhjen e Asamblesë janë diskutuar edhe rezultatet në zgjedhjet e 25 Prillit.
/Priza.al/