Vijon skandali me kompaninë e njohur të shitjes së pajisjeve elektronike “Shpresa-Al”, ku klientët kanë blerë ‘hallet’ me paratë e tyre. “Priza.al” kontaktoi sërish sot me klientin F.J., i cili prej disa ditësh ka çuar për servis laptopin e tij të ri të blerë me garanci 1 vjeçare te dyqani i “Shpresa-Al” te rruga e Durrësit, në Tiranë.
Prej gati një jave, klienti F.J., është në pritje që nga zyrat e “Shpresa-Al” ta marrin në telefon për të shkuar për të marrë një pajisje të re, pajisjen e vjetër të riparuar ose të marrë mbrapsht lekët e shpenzuara pasi është brenda garancisë së kontratës. Megjithatë, kompania për asnjë nga këto lloj arsyesh nuk e ka marrë në telefon fare dhe nuk bëhet e “gjallë”, në një kohë që klientit i është shkaktuar shumë dëm pasi nuk punon dot në profesionin e tij. Ai është pjesë e një kompanie private ku i gjithë stafi punon nga shtëpia për shkak të pandemisë. Mirëpo, “Shpresa-Al” nuk merr parasysh asnjë nga këto lloj dëmesh që shkakton, përveç tregtimit të pajisjeve skarco.
“Priza.al” e kontaktoi edhe sot klientin dhe mësoi zhgënjimin e tij për atë që po i ndodhte.
“Po mendoj t’i drejtohem gjykatës me një padi civile, pasi kjo mos korrektësi më ka shkaktuar një dëm të madh”, -tha ai.
Ja si nisi historia e denoncimit të mashtrimit nga “Shpresa-Al”.
Kompania “Shpresa-Al”, e cila mbahet me emër sidomos në Tiranë për tregtimin e pajisjeve elektronike, ka nisur të ‘çedojë’ si në shërbime, ashtu dhe në produktet që sjellin me pretendimin se janë ‘marka’. Kjo kompani është e njohur për ofertat e saj ‘bombastike’ të skontove për çmimet e celularëve, apo pajisjeve të tjera si laptop, kompjutera etj., por pas gjithë kësaj ekziston një hile.
Qytetarëve të shumtë produktet e blera te “Shpresa-Al” iu kanë dalë skarco! Por jo vetëm kaq. “Shpresa-Al” shumë prej produkteve të saj “të reja” i tregton me garanci, si për të “siguruar” klientët se çdo gjë është në rregull. E pra, këtu fillojnë problemet…
Është i disati rast që në redaksinë e “Priza.al” vijnë ankesa të ndryshme qytetarësh për probleme me pajisjet e tyre elektronike të blera te “Shpresa-Al”. Por sot në redaksinë e “Priza.al” ka ardhur denoncimi i një rasti konkret dhe me dokumente, i një personi, i cili ka pasur një defekt në laptopin e tij në ri.
Pavarësisht kontratës me “Shpresa-Al” për blerjen e një pajisjeje të re, problemet i kanë nisur vetëm pak muaj pas përdorimit, si dhe sapo ka shkuar për ta riparuar te zyrat e kompanisë.
(Foto: Kontrata e garancisë së pajisjes së blerë te kompnia ‘Shpresa-Al’)
Klienti që kishte pak muaj që kishte blerë laptopin, u përball me anomali të produktit si, probleme me boksin e dëgjimit, ekranin apo probleme serioze të serverit. Nga ky moment, ai paraqitet pranë dyqanit të “Shpresa-Al” në “rrugën e Durrësit”, në kryeqytet, por në vend që të merrte zgjidhje për problemin, ato i janë shtuar më tej. Duke u hallakatur për dy muaj e duke shpresuar për të zgjidhur problemin, klienti kuptoi që sapo kishte blerë me lekë një “telash” të madh.
Ajo që të bën tepër përshtypje është mos korrektesa e stafit të “Shpresa-Al”, që pavarësisht nga kontrata dhe garancia për produktin, jo vetëm që nuk ndihmojnë klientët të zgjidhin problemin sa më parë, por u mbyllin atyre edhe telefonin pa i sqaruar këta të fundit që kontaktojnë për të marrë përgjigje.
“Ishte e disata herë që shkoja pranë dyqanit të ‘Shpresa-Al’, dhe laptopi vazhdonte të kishte probleme, edhe pse për çdo herë të çuar për servis paguaja para. Pas tre herësh radhazi që më thanë se e ke në rregull, u ktheva sërish për të katërtën dhe ata konstatuan që laptopi kishte problem serioz dhe duhej të kthehej te furnitori”,- thotë denoncuesi për “Priza.al”.
(Foto: Kontrata e garancisë së pajisjes së blerë te kompnia ‘Shpresa-Al’)
Ndërkohë, klientit të “Shpresa-Al” i’u premtua se do të kontaktohej nga vetë menaxheri i kompanisë, por ajo telefonatë nuk i erdhi. Mesa duket, menaxheri do ketë pasur plot probleme të tjera për t’u marrë me klientë të ngjashëm…
Por më keq akoma, kontratës së klientit i mbaron afati për dorëzimin e pajisjes për tre ditë (në kontratë është 21 ditë), ndërkohë që kompania aspak korrekte, as po e njofton për t’i kthyer pajisjen e riparuar ose jo, apo që ta pajis atë me një laptop të ri.
Prej disa vitesh “Shpresa-Al” ka pasur shitje të mbara pajisjesh elektronike në të gjithë vendin, kjo edhe falë urisë që shqiptarët kanë për të tilla produkte, sidomos për celularë.
Por edhe pse me garanci korrekte në dukje, produkteve të “garantuara” shpesh u vjen fundi para kohe dhe befas zbulohet se ato nuk janë “marka”, siç edhe shiten, por në pjesën dërmuese janë produkte të një cilësie të ulët të prodhuara jo më as në Kinë, por në shtete të tjera aziatike prej nga ku importohen me çmime simbolike për peshë nga “Shpresa-Al”.
Kjo e fundit përfiton edhe prej faktit që në Shqipëri institucionet të cilat duhet të kontrollojnë origjinalitetin e markave, cilësinë e produkteve dhe të bëjnë mbrojtjen e klientëve, janë kthyer në institucione “mejhane” titullarët e të cilëve kënaqen me bakshishe a peshqeshe të vogla.
“Priza.al” do ta ndjekë në vijim këtë rast dhe të tjera denoncime si ky jo vetëm për kompaninë e mësipërme, por edhe për të tjera. “Priza.al” i fton të gjithë lexuesit dhe ndjekësit e saj në rrjetet sociale, që të denoncojnë me foto, dëshmi dhe dokumente të tilla raste abuzimi në dëm të konsumatorëve nga subjekte shtetërore apo private.
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016