Gjykata e Posaçme ka vendosur mesditën e sotme masën e sigurisë “Arrest me burg”, për 30-vjeçaren Milena Deraj. Kjo e fundit u arrestua dy ditë më parë pasi akuzohet se i ka marrë nëpërmjet mashtrimit, 230 mijë euro shoqes së saj dhe 340 mijë euro personave të tjerë.
Deraj mashtroi shoqen e saj Elira Shyti duke i thënë se paratë që do i merrte asaj do i investonte në bono thesari. Shumat e parave janë dhënë në 2 transaksione bankare në një bankë të nivelit të dytë, si dhe dorazi. Sipas dëshmisë së Shytit, shumat e parave dorazi i ka dhënë në vlerat 10, 20 dhe 30 mijë euro, shuma që sipas saj i merrte borxh nga të afërmit.
Lidhur me rastin e Ferracakëve në Shkodër ka qenë vetë Elira Shyti që ka prezantuar Milena Derajn me një person tjetër të njohur të familjes, Afërdita Ferracaku. Pas takimit të parë, 30 vjeçarja Deraj ka bindur Ferracakun se njeh një avokat të mirë për t’i lehtësuar pozitat në gjykatë Hasan, Shyqyri dhe Abedin Ferracakut. Pas disa ditësh, sipas 30 vjeçares, avokati u ka thënë se me provat e mbledhura nga prokuroria në Shkodër të akuzuarit nuk mund të lirohen nga burgu, por me dhënien e 340 mijë eurove, shpëtonin nga burgimi i përjetshëm.