SPAK mbi bazën fillimisht të një kërkesë për ndihmë juridike, të Prokurorisë e Republikës pranë Gjykatës të Pizës, Itali, ka regjistruar në vitin 2021 procedimin penal nr.166, për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Pas koordinimit me Eurojust, u ra dakord për krijimin e skuadrës së përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Pizës, Itali.
Në datat 13 – 15 Dhjetor 2022, në Shqipëri dhe Itali u zhvillua operacioni policor “HOAX”.
Ky operacion në Shqipëri u krye nga Njësia C – Hetimi i Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me BKH-në dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), i koordinuar nga Eurojust me seli në Hagë, Holandë.
Gjatë këtij operacioni në Shqipëri janë kontrolluar 13 ambiente, qendra thirrjesh dhe banesa. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan, 162 pajisje kompjuterike (njësi kompjuterike, servera,DVR, etj) etj., aparate celulare, si dhe 11 pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasve J.M dhe M.D (banesa, truall, aktivitete tregtare, etj).
Hetimet nxorën në dritë ekzistencën e një grupi kriminal që synonte kryerjen e mashtrimeve ndaj individëve të cilët mashtronin qytetarë të shumtë që banonin në Itali dhe në vende të tjera evropiane (Spanjë dhe Gjermani), të kontaktuar kryesisht përmes telefonit, i bindnin viktimat e tyre të investonin në instrumente financiare realisht inekzistente, me premtimin e normave të larta të kthimit.
Në periudhën nga muajt e parë të vitit 2019 deri në verën e vitit 2020, është verifikuar që këto investime pilotoheshin në platformën e tregtimit financiar online “CAPITAL COIN EXCHANGE” e menaxhuar nga kompania “DIRECT COIN LIMITED” në Londër, e cila premtonte rendimente shumë të larta ekonomike.
Po ashtu me Vendimin Nr.93, datë 12.12.2022 të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë caktuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit:J.M dhe M.D., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrim kompjuterik” në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b/1 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Sqarim: Masat e sigurimit janë pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës prerë.