Në dosjen e prokurorisë të siguruar nga Ora News flitet edhe për një episod ku me datën në datën 14.10.2019, në mëngjes, në ambientet e Ministrisë është paraqitur shtetasi Gentjan Kamberi, i cili ka kërkuar të dorëzojë disa thasë me dosje përmbarimore, pa treguar se në emër të kujt po kryente dorëzimin.
Dosjet e dorëzuara fizikisht në hollin e Ministrisë së Drejtësisë (fillimisht rreth 6 thasë të zinj me qese plehrash) nga shtetasi Gentjan Kamberi u shoqëruan me shprehjen e tij: “I gjeta këto dosje aty përjashtë dhe i solla këtu… Kush do i marrë… nuk e di të kujt janë.”
Në deklarimet e dhëna përpara oficerit të Policisë Gjyqësore, shtetasi Gentjan Kamberi ka shpjeguar se: “…ishte dërguar për të dorëzuar thasët me dosje origjinale përmbarimore nga shtetasi Arben Meskuti.Ndrëkohë në datën 16.10.2019, dhe në vijim, më datë 28.10.2019, ora 08:00, në ambientet e brendshme të pritjes me publikun në Ministrinë e Drejtësisë, janë paraqitur disa shtetas të tjerë, të panjohur midis tyre, dhe shtetasi Gentjan Kamberi, të cilët shkarkuan tashmë 104 thasë qese të zeza.Sipas prokurorisë thasët e zinj brenda të cilëve ndodheshin me mijëra dosje përmbarimore janë shkarkuar dhe braktisur demonstrativisht në ambientet pritëse me publikun të Ministrisë së Drejtësisë dhe ish-përmbaruesit Arben Meskuti, Alban Kote, Albert Gega, Roland Deda, Kejda Seferi dhe Alketa Tanushi nuk kanë pranuar as t’i hapin, as t’i numërojnë, as t’i dorëzojnë dhe as t’i identifikojnë si të tyret këto materiale dhe arkiva përmbarimore.
Ish-përmbaruesi Aldo Daka, administrator dhe ortak i shoqërisë FS, ka deklaruar se kishte dijeni mbi këto materiale përmbarimore të vendosura në thasët e zinj dhe se i kishte sjellë pasi ishin të shoqërisë “Shërbimi Përmbarimor FS” dhe se i kishte mbajtur në një magazinë te rruga “Ali Demi”, por nuk ishte në gjendje t’i dorëzonte se nuk ishin të tijat si materiale përmbarimore dhe nuk mund t’i identifikonte ato.
Grupi i punës i ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë ka inventarizuar dokumentacionin dhe ka konstatuar se:
2800 dosje përmbarimore të organizuara të “Shërbimi Përmbarimor ZiG”;
3000 çështje përmbarimore që gjenden si materiale të paorganizuara në dosje përmbarimore të “Shërbimi Përmbarimor STAR” dhe emër i ndryshuar “FS”.