Viola Sterjo, ish-drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës është vënë në pranga ditën e sotme. Ajo u shpall në kërkim dy ditë më parë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë caktoi për të masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.
Sipas njoftimit të policisë, Sterjo ka përfituar shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm, duke i siguruar atyre se do të ndikonte në institucionet shtetërore, që ata të përfitonin fonde nga shteti. Sipas hetimeve të kryer, vepra penale për të cilën dyshohet, është kryer në periudhën mars-nëntor të vitit 2020.
Njoftimi nga policia Korçë:
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetases V. S., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.
Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.