Një 28-vjeçare nga qyteti i Vlorës është denoncuar në emisionin “Stop” se ka mashtruar një qytetar duke i marrë një shumë prej 2500 eurosh për një vend pune.
Bëhet fjalë pëë Joana Baocajn, e cila sipas denoncuesit është prezantuar si punonjëse e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Vlorë dhe i ka thënë se i duheshin rreth 100 punonjës pasi mbulonte gjithë jugun.
Denoncuesi thotë se ka paguar 2500 euro te Joana Bocaj, e cila i kishte premtuar që nusja e djalit të fillonte punë si shefe finance në Spitalin Memorial të Fierit.
Bocaj i dha edhe një urdhër emërimi dhe procedura do të përfundonte për dy muaj. Por kaluan më shumë se 6 muaj dhe ende asgjë. Më pas zotëria i kërkoi lekët, por as ato nuk i mori.
Denoncuesi: Më është vetëofruar një punonjëse e Shëndetësisë Vlorë me emrin Joana Bocaj, më ka vetëofruar vende pune pasi sipas saj mbulonte gjithë jugun. Në këmbim të vendit të punës, ajo donte para. Unë kam pasur nevojë për nusen e djalin sepse e kam ekselente duke marrë para borxh, 2 500 euro.
Gazetarja: Për nusen e djalit tuaj, çfarë pozicioni pune do të gjente ajo?
Denoncuesi: Shefe finance në Spitalin Memorial. Pastaj ajo më thoshte mua se kam nevojë për vende pune të tjera sepse unë mbuloj gjithë jugun dhe dua një ekonomist këtu, një atje, dua një recepsionist për në spital.
Gazetarja: Në cilin vit ndodhën këto premtime?
Denoncuesi: Në 2021, pas zgjedhjeve të Prillit.
Gazetarja: Ju e keni bërë pagesën që në fillim tek ajo?
Denoncuesi: Po, po. Pagesën që në fillim dhe shuma ishte 2,500 euro dhe tha që do të merrni vendimin dhe gjatë këtyre muajve, ajo merrte të tjera. Ishte një rast tjetër për një shoqen e një gruas atje për 1,500 euro dhe dy mbesat e gruas për infermiere në Vlorë me 4 mijë euro.
Gazetarja: Sa arrin shuma në total?
Denoncuesi: Shumë mund të shkojë 10 mijë euro. Pas 2 muajsh, vjen një urdhër emërimi dhe me këtë urdhër emërimi që mori nusja e djalit tim, ajo iu tregonte të tjerëve shiko se kjo filloi, i ka ardhur urdhëri i emërimit.
Gazetarja: Por ndërkohë, nusja e djalit nuk kishte filluar punë?
Denoncuesi: Nusja e djalit nuk filloi se i tha që vendimin do ta marrësh në Vlorë.
Gazetarja: Dhe kur dilte vendimi?
Denoncuesi: Vendimi tha do të presë 1 -2 muaj. Kaluan 6 muaj dhe ajo nuk bëri gjë. Lekët thotë se do t’i jap. Nga emisioni “Stop” kërkoj që të më ndihmojë që të më kthehen lekët, nuk dua asgjë tjetër.
Një zonjë tjetër tregon, se ka dhënë 2 milionë lekë për një vend punë si specialiste në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetsor.
Denoncuesja: M’u premtua një vend pune në vitin 2021 si inspektore tek Operatori i Kujdesit Shëndetësor përkundrejt një sasie lekësh, 2 milionë lekë. Ne menduam se do të na e gjente vërtetë. Ka qenë në fund të Tetorit kur kam bërë pagesën. Pritëm, pritëm, kaluan shumë muaj ndërkohë edhe flisnim me të në telefon dhe thoshta jo po sot, jo po nesër. Derisa kaluan 6 muaj dhe ne i kërkuam lekët.
Gazetarja: Dhe çfarë justifikimi nxorri për mosrealizimin e punësimit ndaj jush?
Denoncuesja: Thoshte se janë ndërruar drejtorët, do të presim dhe pak kohë. Ka premtuar se do t’i sjellë lekët. Thotë se do t’i nis sot, do t’i nis nesër. Deri tani as lekë, as punë, asnjë gjë.
Një tjetër zonjë nga Tirana tregon se Joana Bocaj u ofrua për të siguruar pagesën e kempit për dy të afërmit e saj dhe punësimin e saj. Në total zonjës i ka marrë rreth 8 milionë lekë, nga të cilat i ktheu 3 milionë.
Denoncuesja: Joana Bocajn e kam njohur përmes një të afërmi. Është prezantuar tek ne si specialiste e shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Vlorë duke u ofruar të na ndihmojë me kempin e një të afërmi pasi është në gjendje shumë të rëndë.
Gazetarja: Sa kërkonte për ta rregulluar pagesën e kempit?
Denoncuesja: Për këtë të afërmin kërkoi 2 milionë lekë.
Gazetarja: Ju e bëtë pagesën?
Denoncuesja: Po, e bëmë pagesën. Përveç këtij të afërmi, ai ka dhe një vëlla me të njëjtën sëmundje pak a shumë. Meqenëse ai nuk ishte 100 për qind në gjendje shumë të rëndë, kërkoi 3 milionë lekë për të afërmin tjetër.
Gazetarja: Si thoshte se e rregullonte pagesën e kempit?
Denoncuesja: Thoshte se unë punoj tek kempi, jam pjesëtare e bordit ku do të vendosej kempi dhe normalisht do ta rregullonte ajo. Me Joanën për të bërë pagesën jemi njohur në Tetor të 2021-shit. Ka ardhur, ka marrë pagesën dhe kur u takuam përsëri, më ofroi një vend pune tek Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor këtu në Tiranë. Më tha se do të të çoj shefe sektori tek financa dhe më kërkoi një shumë prej 3 milionë lekësh.
Gazetarja: Juve ju mori në total 8 milionë lekë?
Denoncuesja: Po. Në dijeninë time, në rrethin pak a shumë që ne njohim, janë diku tek 50 persona dhe bëhet fjalë diku tek 200 milionë lekë nëse i mbledhim sa ju ka premtuar vende pune, kempe, licenca gjithë këtyre njerëzve.
Po ashtu, një rast i ngjashëm ka ardhur në emisionin “Stop” ku denoncohet sërish mashtrimi i Joana Bocajt.
Denoncuesja: Përshëndetje, edhe unë kam të njëjtin problem, jam mashtruar nga Joana Bocaj. Personalisht në informacion, pastaj një pjesë tjetër ju ka premtuar të afërmëve tanë vende pune si shoferë, si infermierë, si ekonomisë, si juristë.
Gazetarja: Vendet e punës ku do të ishin, në çfarë institucioni?
Denoncuesja: Do të ishin në QSUT edhe tek Drejtoria e Fondit. Ka bërë disa telefona me njerëzit tanë të afërm që ju ka thënë se ju keni fituar portalin, por realisht asnjë vend pune nuk u realizua. Kështu ne kemi rënë pre e gjithë këtij mashtrimi. Kanë paguar 2 milionë lekë të vjetra, 2 milionë euro, 1 milionë e gjysëm lekë e të tjera e të tjera.
Por rasti në fjalë ka shkuar edhe më keq. Joana Bocaj kishte kishte krijuar profilin e saj si specialiste në Drejtorinë e Kujdesit Shëndetësor Vlorë. Ajo kishte sajuar edhe një dokument fals emërimi për një zonjë në pozicionin e shefes së financës në Spitalin Memorial të Fierit.
Në një video të publikuar nga Klan, duket Joana në makinë duke numëruar 2500 euro të marra për një vend pune që nuk do të realizohej asnjëherë.
Edhe Drejtoria Qëndrore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor e ka hedhur postë këtë emërim.
Stop-i: Joana, ku e ka zyrën?
Punonjësi: Ku punon, në çfarë drejtorie? Se këtu janë dy drejtori.
Stop-i: Joana Bocaj!
Punonjësi: Jo, jo! Ka dy-tre vjet, që ka ikur nga puna.
Stop-i: Aha, ka ikur!
Punonjësi: Kam të drejtë unë, që s’e njoh.
Në bisedë me personat që ka mashtruar, Joana Bocaj e pranon që u ka marrë lekë e që do t’ua kthejë.
Joana Bocaj: Jeni shumë të shqetësuar dhe që të gjejmë një zgjidhje. Përvec X-it ca janë të Y-it. (përmend emra).
Zotëria: X ka 3 mijë, 2500 euro.
Joana Bocaj: Se nuk po të pyes kot.
Zotëria: X-i ka 2 milionë e 600 të së ëmës dhe 1500 euro të sajat. Ke shokun e x-it, 2000 euro.
Joana Bocaj: Këto, që do t’i jap ty.
Zotëria: Edhe të X-it, 1 milionë e 600 mijë.
Joana Bocaj: Okay!
Zotëria: Ke të Y-i 2000 euro.
Zotëria: Domethënë, mendon të m’i kthesh këto mua?
Joana Bocaj: Pse mendon, se s’do të t’i kthej?
Zotëria: Po, kam frikë.
Por kur gazetarja e “Stop” komunikon me të, ajo thotë se as që ka dijeni për këtë lloj argumenti.
Joana Bocaj: As nuk i di fare këto gjëra. Sigurisht, në qoftë se kam ndonjë borxh, i kam borxh siç ka çdo njeri dhe s’ka ç’ju duhet njerëzve.
Gazetarja: Ke borxh?
Joana Bocaj: Tani, edhe nëse kam borxhe…
Gazetarja: Jo pra se nuk është vetëm që ke borxhe.
Joana Bocaj: Këto gjëra unë nuk i di fare se nuk më interesojnë fare.
Gazetarja: Nuk është vetëm që ke borxhe. Ju keni premtuar vende pune në këmbim të parave dhe kjo ndryshon pak, apo jo?
Joana Bocaj: Dëgjo pak! Unë nuk i di fare këto gjëra që po më thua. Nuk i hyj fare këtyre gjërave dhe nuk më interesojnë!
Gazetarja: Ideja është e tillë: Unë të kam marrë për të marrë versionin tënd. Ti m’i mohon që nuk është kjo ajo që keni tentuar të bëni.
Joana Bocaj: Shiko, unë nuk mund të bëj muhabete në telefon. A kupton?
Gazetarja: Nuk ke lidhje fare me këto?
Joana Bocaj: As më interesojnë fare dhe nuk dua të di fare ca janë këto lloj muhabetesh! Ata, që premtojnë dhe bëjnë, le t’i gjejnë në vende të tjera, jo te mua!