Prokuroria e Tiranës ka ndaluar tre shtetas të cilët mashtronin të huajt përmes aktivitetit të Call Center.
Mësohet se shtetasit me iniciale D. T., E. Ll, dhe E. A., përfitonin vlera të konsiderueshme parash në platformën Forex.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka regjistruar Procedimin Penal nr.3230 viti 2022 për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik” dhe “Fshehjes së të ardhurave” parashikuar nga neni 143/b e 180 i K.Penal. Ky procedim, i cili ka në fokus të hetimeve veprimtarinë e paligjshme në fushën e mashtrimeve kompjuterike ka filluar mbi bazën e informacioneve të administruara nga Agjencitë ligjzbatuese partnere si dhe nga informacionet operative të mbledhura nga shërbimet e policisë gjyqësore ku përfshihen të dhëna dhe rezulton se në qendër të veprimtarisë së shumë operatorëve ekonomikë ‘Call Center’ që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë, është ushtrimi i veprimtarisë së Brokerimit e kamufluar pas aktivitetit Call Center, të cilët synojnë përfitimin e paligjshëm me vlera të konsiderueshme nëpërmjet mashtrimit të shtetasve të huaj. Më konkretisht, operatorët ekonomikë të evidentuar për të cilat sinjalizohet që operojnë në platformën Forex nëpërmjet aktivitetit call-center në vendin tonë.
Pas një pune të gjatë dhe një veprimtarie hetimore me metoda speciale të hetimit u arrit të zbulohej se në rrugën ‘Frosina Plaku’ në kompleksin Homeplan që ndodhet në anën juglindore është gjendur një ambient me fasadë xhami brenda të cilës kishte orendi të ndryshme që shiteshin tek faqja ‘Shtëpia e Ofertave’ dhe në një cep të këtij ambienti janë gjendur tre kompjutera të ndezur ku në pamjen kryesore të tyre kanë pasur një numërator që shërben për thirrje telefonike dhe një databazë klientësh. Në krah të kompjuterave ka pasur blloqe shënimesh brenda të cilave ka pasur informacion për veprimtarinë e Forex pasi janë përshkruar informacione për çdo telefonatë të thirrur, shumën e depozituar dhe arsyen pse klienti pranonte apo refuzonte në lidhje me transaksionin. Në momentin e hyrjes në ambient janë gjendur shtetasit D. T., E. Ll, dhe E. A., të pozicionuar para kompjuterëve. Në njërin prej kompjuterëve ka qenë dhe një USB me numra të llogarive dhe transaksioneve bankare dhe foto kartash identiteti të klientëve. USB-ja gjithashtu ka pasur dhe databazë klientësh me të dhëna personale të tyre.
Në vijim janë administruar biseda ku flitet dhe udhëzohet për platforma nga ku merreshin nga shtetas të huaj kundrejt përqindjes, transaksione dhe llogari bankare. U arrit të dokumentohej se pagesat bëheshin në mënyra të ndryshme në banka të ndryshme të huaja si në Poloni, UK, Abu Dabi etj si dhe u arrit të dokumentohej se pagesat bëheshin dhe në BitCoin Dyshohet se shtetasit e ndaluar shërbenin si bërthamë operative administrimi të platformave Forex që më pas shpërndaheshin në operatorë të tjerë.
Mashtrimet më së shumti bëheshin ndaj qytetarëve spanjollë dhe gjermanë.
Hetimet janë në vijim