Rreth 40 tonë mish janë asgjësuar gjatë një viti nga Agjencia e Ushqimit dhe Veteranisë në Kosovë(AUV). Bëhet fjalë për 38 tonë mish vetëm në një rast të vetëm.
Lajmi është bërë i ditur nga zëvendësi i EO-s, Lamir Thaçi. Ai bën me dije se ky aksion është bërë i mundur falë kontrolleve në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit.
Sakaq, ai shton se inspektori ka nxjerrë menjëherë vendimin për konfiskim dhe asgjësim të gjithë sasisë. .“Në bazë të ligjeve në fuqi inspektori menjëherë ka nxjerrë vendim për konfiskim dhe asgjësim të gjithë sasisë që është gjetur në këtë depo ftohëse dhe organet e tjera sigurisht kanë arrestuar personat përgjegjës dhe do të dërgohet fletëparaqitje për gjykatë dhe pastaj gjykata është ajo që vendos për masën ndëshkimore ndaj operatorit të biznesit”, tha ai.
Ndërkohë janë paralajmëruar masa ndaj atyre të cilëve nuk respektojnë ligjin dhe rregulloren e cila është në fuqi. Në qendër është mbrojta e konsumatorëve, duke marrë masa ndaj çdo biznesi i cili vendos produktin në treg i cili nuk plotëson kushte.
“Në këtë fillim vit rasti që është paraqitur ka qenë në regjionin e Pejës por nuk do të thotë që nuk do të ketë raste edhe në vende të tjera. Nuk mund të paragjykojmë se vetëm një regjion ka probleme por kudo që hasen ato inspektorët do të jenë pa kompromis ndaj secilit rast që ka dyshime të bazuara që është duke u vendosur ndonjë produkt ushqimor në treg i cili nuk i plotëson kushtet. Ne jemi të obliguar, kemi mandatin ligjor dhe jemi të thirrur për të kryer detyrat zyrtare dhe këtë do ta bëjmë që t’i mbrojmë konsumatorët”.“… ata duhet të ndihen të sigurt sepse po shohin punën tonë çdo ditë, aktivitetet në teren që ne punojmë, por derisa fusha e kontrollit ushqimorë është fushë komplekse ne kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë konsumatorët, bizneset secili që mund të kontribuojë duhet të kontribuojë sepse shëndeti publik është interes nacional dhe ne duhet që të gjithë të punojmë bashkërisht që ta ruajmë shëndetin publik”, shton zëdhënësi i AUV-it.