Mbrëmjen e sotme zhvillohen dy çerekfinalet e para të Euro2024. Dy finale të parakohshme. Gjermani-Spanjë në orën 18:00 dhe Francë-Portugali në 21:00. Nuk është Spanja e viteve të arta 2008-2012, por janë talentet iberikë që premtojnë shumë dhe deri më tani kanë sjellë imazhet e një përfaqësueseje të madhe.
Por Gjermania nuk vdes kurrë, ka disiplinën dhe vendosmërinë. Ka një brez shumë të mirë lojtarësh, të mbushur plot me eksperiencë dhe fuqi në këmbët e më të rinjve.
Trajneri spanjoll, Luis de la Fuente është treguar i përmbajtur dhe ka thurrur eloze për Toni Kroosin, i cili ka deklaruar se këto ndeshje të evropianit janë të fundit para se të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur.
“Do të jetë një takim i barabartë. Mund të ishte në finalen e Europianit, por besoj se do të jetë një ndeshje e njëjtë, në nivel futbollistik. Gjermania gjithmonë e fillon ndeshjen në një mënyrë të fuqishme, pra natyrisht që ne do t’i kundërpërgjigjemi asaj. Ne do të provojmë të sulmojmë që në minutën e parë.
Kam folur shumë me Dani Olmon dhe Grimaldon, ne kemi eksperiencë në futbollin gjerman. Ata gjithmonë na tregojnë në lidhje me disa aspekte të futbollit gjerman, por ne e njohim kombëtaren e tyre shumë mirë dhe lojtarët e mi janë gati. Plan i lojës nuk do të ndryshojë. Mund të jenë një ose dy ndryshime të vogla, por plani i lojës do të mbetet i njëjti.
Ne gjithmonë fokusohemi te puna jonë. Ne nuk mund ta mendojmë që Gjermania do të dështoja ta bëj të vetën. Kemi karakteristika të njëjta. Ne jemi super të përgatitur të dalim në fushën e lojës dhe të mundohemi që të fitojmë. Ne ndihemi se kemi shumë përgjegjësi dhe jemi ekstremisht të fokusuar” tha ai.