Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi mbanin armë pa leje.
Shtetasit me iniciale E. K., 45 vjeç dhe M. R., 33 vjeç akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Sakaq policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë sportive, tre thika, krehër, municion luftarak, silenciator dhe 2 aparate celulare.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet, nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Pasagjeri”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë sportive, tre thika, krehër, municion luftarak, silenciator dhe 2 aparate celulare. Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Në pranga edhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Agush Gjergjevica”, në një automjet, po qarkullonte 1 shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pasagjeri”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. K., 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”;
– M. R., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në rrugën “Agush Gjergjevica”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. R. dhe pasagjer shtetasin E. K.
Gjatë kontrollit në çantën e dorës së shtetasit E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një silenciator. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. K., shërbimet e Policisë gjetën një pushkë sportive, tre thika dhe municion luftarak. Shtetasi M. R. ka patur dijeni për krimin, por nuk ka kallëzuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.