Mbappe-s nuk i mjaftoi as “hat-trick” që të rikonfirmohej kampion bote. Në fund fati shpërbleu Argjentinën dhe Messin, tashmë i barabartë me Maradonën. Por ylli i Francës shkëlqeu para syve të gjithë botës.
Ai barazoi rezultatin me një dopietë “rrufe” brenda një minute, më pas firmosi edhe 3-3 e shpresës. As në shortin e penalltive nuk u drodh, duke mposhtur sërish Emiljano Martinezin.
Megjithatë, zhgënjimi është i madh, ndoshta as gjesti dhe fjalët e presidentit francez Macron nuk e kanë ngushëlluar plotësisht. Pas verdiktit përvëlues të penalltive, Mbappé u gjunjëzua i dëshpëruar.
Macron, i cili ishte në tribunë, zbriti në fushë, e arriti dhe e përqafoi. “Mbappé është një lojtar i madh, por ai është i ri, i thashë se është vetëm 24 vjeç. Ai ishte golashënuesi më i mirë në këtë Botëror.
Ai e ka fituar një Botëror më 2018, doli në finale edhe në Katar. Isha po aq i trishtuar sa ai. I thashë se na bëri shumë krenarë dhe në fund të fundit humbëm një ndeshje futbolli. Ky është sport”, – tha Emmanuel Macron për BFMTV.