Demokratët do të kalojnë nesër në filter propozimet për ndryshimet në statutin e PD. 9 anëtarët e Komisionit të ngritur për këtë arsye do të vlerësojnë nëse propozimet e Fatbardh Kadillit dhe disa anëtarëve të tjerë të PD do të duhet t’i kalojnë për miratim Kuvendit Kombëtar që mblidhet të shtunën e ardhshme.
9 anëtarët e Komisioni i Posaçëm Statutor të ngritur pranë partisë Demokratike do të bëjnë vlerësimin e propozimeve të mbërritura deri më tani në selinë blu, përsa i përket ndryshimeve të statutit që pritet të miratohen më 17 korrik në Kuvendin Kombëtar.
Prej ditës së nesërme, Sekretari i Përgjithëm i PD Gazment Bardhi , nënkryetarët Edi Paloka e Edmond Spaho, si dhe anëtarët e Komisionit të Përhershëm Statutor do të marrin në duar dosjen e plotë me propozimet që janë bërë për të ndryshuar rregulloren mbi bazën e të cilës funksionon selia blu.
Anëtarët Albana Vokshi, Grida Duma, Belind Këllici, Jorida Tabaku, Enno Bozdo dhe Enkelejd Alibeaj do të filtrojnë idetë më të mira, që do të miratohen nga kryesia përgjatë javës së ardhshme, të cilat më pas do t’i përcillen për votim organit më të lartë të PD, Kuvendit Kombëtar që mblidhet të shtunën e ardhshme.
Burime bëjnë me dije se i vetmi nga anëtarët e kryesisë që ka kërkuar ndryshim të statutit nëpërmjet propozimeve konkrete është Fatbardh Kadilli, i cili po ashtu është i vetmi në mesin e rivalëve që kërkuan reformim të PD, që ka depozituar në selinë blu kërkesën e tij për të reflektuar në statut një organizim të ri të partisë.
Pavarësisht propozimeve gjatë fushatës brenda partisë, grupimi ‘Për PD’ dhe Edit Harxhi, por edhe kandidati tjetër për kryetar Agron Shehaj ende nuk kanë depozituar asnjë ide për ndryshimin e statutit të PD. Në manifestin e tij politik Kadilli propozon kufizim të mandatit të kryetarit të PD në katër vite në rast humbje në zgjedhje; krijimin e qeverisë hije dhe krijimin e një Këshilli të Urtësh që përzgjedh organet drejtuese të partisë. Ndërkohë janë disa anëtarë të thjeshtë të PD, mes të cilëve anëtari i Këshillit Kombëtar, Rudi Sata që ka depozituar kërkesë për ndërhyrje në statut.
Për herë të fundit, statuti i PD u ndryshua në 2018, ku ndonëse solli disa ndryshime si zgjerimi i kompetencave të Këshillit Kombëtar, zgjedhja përmes parimit një anëtar një votë të kandidatëve për deputetë, apo zvogëlimin e kryesisë; nuk solli asnjë ndryshim për mandatin e kryetarit, duke mos e detyruar atë të dorëhiqet, edhe nëse humbet zgjedhjet.