Për herë të parë, Shqipëria ka marrë doza të vaksinës ruse, Sputnik. Ditën e sotme, kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit, 10 mijë doza e para, të cilat janë dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed.
Kjo sasi u prit nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, pasi kryeministri Edi Rama është në një vizitë zyrtare në Francë. Në fjalën e saj, Manastirliu tha se vaksinat janë efektive dhe ofrojnë siguri
“Procesi po vijon. Ky donacion i bashkohet vaksinave që kemi, kështu do të shtrijmë dhe me gjerë vaksinimin një hap para në km drejt fitores. Vijojmë punën për të siguruar sa më shumë vaksina që të përgatitemi për një verë më të mirë. Vaksinat e kanë dhënë garancinë që janë efektive dhe ofrojnë siguri”, tha Manastirliu.
Nga ana tjetër, Ahmetaj tha se ky është një tregues se qeveria arabe është një mbështetëse e Shqipërisë që e ka treguar si me pandeminë, ashtu edhe tërmetin.
“Falenderojmë qeverinë arabe , u gjenden me tërmetin, po gjenden dhe me pandeminë”, tha Ahmetaj.
Me mbërritjen e kësaj sasie, Rama thotë se parashikon një verë të mirë, pa rrezikun e madh të virusit.
“Së shpejti shuma të konsiderueshme vaksinash të tjera do të pasojnë, duke na krijuar mundësinë të rrisim fuqishëm numrat e vaksinimeve ditore, për të dalë së shpejti nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër”, shkruan Rama.
Shqipëria ka nisur procesin e vaksinimit në datën 11 janar fillimisht me dozat e vaksinës Pfizer, më pas janë marrë 38400 doza të AstraZeneca-s, si pjesë e marrëveshjes së COVAX, dhe së fundit dhe nga Rusia. Fillimisht kryeministri Edi Rama ka refuzuar që të marrë vaksina nga Kina dhe Rusia duke thënë se do të “ecin në bllokun perëndimor të Europës”, por më pas me certifikimin nga EMA (Agjensia që licencon vaksinat në Europë), Shqipëria vendosi përdorimin e këtyre vaksinave. Madje për këtë është nënshkruar edhe një VKM (Vendim i Këshillit të Ministrave), ku i ngarkohet si detyrë dy ministrave, Manastirliu dhe Ahmetaj që të merren me sigurimin e dozave.
Në total, që nga fillimi i këtij procesi janë kryer 46,515 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.