100,000 doza të vaksinës së Sinovac kanë mbërritur sot në Aeroportin ‘Nënë Tereza’. Të pranishëm në Aeroportin “Nënë Tereza” ishin Ministrja Ogerta Manastirliu, Ministri Arben Ahmetaj dhe Ministrja Belinda Balluku.
Në fjalën e saj, Manastirliu ka deklaruar se brenda kësaj jave do të ulet fasha për vaksinim.
“Kemi arritur që t’i kemi vaksinat sot, 100,000 vaksina të Sinovac dhe të vazhdojmë me planin tonë të vaksinimit masiv, për të vijuar në ditët e ardhshme me hapjen e fashës të grupmoshës, + 65 dhe +60 vjeç dhe padyshim edhe me punonjësit e shërbimeve kritike”, u shpreh Manastirliu.
Ajo ka komentuar edhe vonesën e mbërritjes së vaksinave.
“Falë përpjekjeve madhore të Kryeministrit, ne arritëm që 100 mijë vaksina të Sinovac të vinin në Shqipëri, por pikërisht nga kjo vonesë, plani ynë i vaksinimit u shty me 48 orë, pasi duhen të gjitha procedurat që ne ishim përgatitur t’i kryenim ditën e djeshme, të spostohen në kohë. Imagjinoni çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishin bërë këto përpjekje madhore, nëse nuk do të arrinim t’i kishim këto vaksina në kohë, pasi dihet se çfarë lufte e madhe brrylash bëhet në rastet kur një shtet nuk është gati t’i marrë, atëherë një vend tjetër i merr”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të përmbushet angazhimi për të vaksinuar 500,000 qytetarë brenda majit. Dy javë pas mbërritjes së 192,000 dozave të vaksines së sinovac, qeveria ka garantuar edhe 100,000 doza sot, për të vijuar pas disa ditësh me zgjerimin e fashës se vaksinimit, në mënyrë kapilare të gjithë vendin.