Mbesa e liderit fashist të Italisë, Benito Mussolini, ka fituar një mandat të dytë si këshilltare bashkiake e qytetit të Romës, me një nivel votash të rritur krahasuar me zgjedhjet kur fitoi mandatin e parë.
Ajo thotë se kjo shumicë votash i detyrohet punës që ajo ka bërë dhe jo historisë së familjes së saj.
E rreshtuar përkrah partisë ekstremiste “Vëllezërit e Italisë”, Rachele Mussolini siguroi mbi 8200 vota në zgjedhjet lokale të 3 dhe 4 tetorit, më shumë se çdo kandidat tjetër dhe shumë më tepër se 657 votat që mori në zgjedhjet e mëparshme, të vitit 2016.
“Në të kaluarën intervistohesha vetëm për shkak të emrit të familjes. Ndërsa gjatë mandatit tim si këshilltare filluan të më pyesin mbi nismat që kam promovuar. Kam punuar me të vërtetë shumë”, deklaroi Rachele Mussolini për edicionin e së mërkurës të së përditshmes “La Repubblica”.
Ajo është e bija e muzikantit të xhazit Romano Mussolini, i biri i diktatorit fashist që udhëhoqi vendin nga viti 1922 në 1943.
“Mësova të jetoja me mbiemrin tim që kur isha fëmijë. Në shkollë më shihnin ndryshe, por me kalimin e kohës personaliteti im u rrit dhe dominoi ndaj mbiemrit, pavarësisht se barra e tij ndihet ende”, u shpreh Mussolini.
E pyetur lidhur me pikëpamjen e saj mbi fashizmin, ajo tha se ishte kundër glorifikimit të tij, por refuzoi të bënte komente të tjera. Katër qytetet më të mëdha të Italisë, Roma, Milano, Napoli dhe Torino, si dhe mbi 1 mijë qendra të tjera të vogla, mbajtën zgjedhjet lokale të dielën dhe të hënën.
Një balotazh pritet të mbahet pas dy javësh në qytetet ku asnjë kandidat nuk siguroi 50 për qind të votave. Kandidatët e qendrës së majtë kanë fituar pa qenë nevoja për balotazh në Milano, Napoli dhe Bolonja.
Blloku i qendrës së djathtë, ku bën pjesë edhe partia e Rachele Mussolinit, shpreson të fitojë kontestin e Romës mes kandidatit të tij Enrico Michetti dhe atij të qendrës së majtë Roberto Gualtieri.
/Burimi: Ansa/ Përshtati Priza.al/